Policia e Shtetit ka bërë ditur emrin e shoferit që u kap në portin e Durrësit me 457 kg kanabis të fshehur në aksesorët e mobilieve që transportonte me kamionin e tij (në foto): Ai quhet Robert Resuli, 48 vjeç, lindur në Tiranë dhe banues në Vlorë.
Policia Kufitare, Policia e Durrësit dhe Dogana zbuluan dje në Portin e Durrësit 457 kg kanabis arrestuan në flagrancë, Rober Resulin, pas skanimit të kamionit dhe mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative.
Në njoftimin e Policisë thuhet shprehimisht:
“Arrestimi në flagrancë i këtij shtetasi u bë pasi më datë 8.07.2016, në vendin e quajtur vija e dytë në P.K.K. Porti Durrës, gjatë kontrollit të ushtruar në kamionin me targa AA 283 MZ, në brendësi të ngarkesës me aksesorë mobiliesh, iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale rreth 457 kg lëndë narkotike e dyshuar e llojit Cannabis Sattiva.
Materialet do ti kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, Tiranë për veprime të mëtejshme, për veprën penale”Trafikimi i lëndëve narkotike” e mbetur në tentativë parashikuar nga neni 283/a/2 dhe 22 të Kodit Penal.”














