Bashkimi Evropian (BE) duhet ta përshpejtojë procesin integrues që është element kyç dhe pjesë e strategjisë së tij afatgjate për siguri, deklaroi presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov në “Forumin e Dubrovikut 2017”, që po mbahet me temë “Bashkëpunimi i Adriatikut-Mesdheut dhe siguria në Evropën Juglindore”.
Në njoftimin nga kabineti presidencial, thuhet se presidentit Ivanov në fjalimin e tij, mes tjerash ka theksuar se Ballkani gjithmonë ka qenë udhëkryqi i Evropës, për të shtuar se kanosja më e madhe për sigurinë evropiane pritet të vijë në periudhën e ardhshme që kërkon vëmendje urgjente me theks të veçantë te mijëra luftëtarët e huaj nga vendet ballkanike të cilët marrin pjesë në luftimet në Lindjen e Afërt.
Kryeministri i Kroacisë hapi Forumin e 12-të të Dubrovnikut
“BE dhe NATO duhet të planifikojnë masa parandaluese kundër të kthyerve të orientuar jo vetëm drejt shteteve të tyre, por edhe drejt pjesës së paintegruar të Ballkanit”, ka thënë Ivanov.
Sipas tij, integrimi i Ballkanit si një tërësi nuk është vetëm i rëndësishëm, sepse njëkohësisht është i domosdoshëm për paqe të përhershme, stabilitet dhe siguri në rajon. “Me këtë, rajonit do ti garantohej shpresë dhe progres. Ëndrra evropiane duhet të bëhet realitet për të gjithë edhe atë sa më shpejtë që është e mundur”, u shpreh presidenti Ivanov.
Ai apeloi për politika afatgjate rajonale për siguri, si hap i parë drejt krijimit të mjedisit stabil dhe të sigurt.
Presidenti Ivanov dje mori pjesë në samitin e shefave të shteteve dhe qeverive të vendeve-pjesëmarrëse në procesin për bashkëpunim në Evropën Juglindore dhe realizoi takim bilateral me presidenten e Kroacisë, Kolinda Grabar Kitaroviç, njofton kabineti i tij.






















