Nëna e Iris Belbës, studentes që vrau veten duke u hedhur nga kati i 16-të i ndërtesës “Sky Tower”, kishte rreth një vit që ishte shpërngulur nga Fieri për të qëndruar pranë vajzës, pasi ajo po kurohej për depresion, por… nuk ka mundur të shmangë fatin tragjik të saj. Kjo e ka bërë edhe më të madhe dhimbjen e dy prindërve, saqë babai i vajzës 22-vjeçare ka pësuar paralizë faciale nga humbja e së bijës, të cilës dje i ka dhënë lamtumirën e fundit. Qindra të afërm, miq, e dashamirës të familjes Belba, kanë përcjellë për në banesën e fundit studenten. Familja Belba ka vendosur që studentja bukuroshe që i dha fund jetës në moshën më të bukur, të prehet në varrezat e qytetit të Fierit, ku ata e rritën duke u përpjekur ta edukojnë e arsimojnë në institucionet më të mira arsimore.
Lamtumira mes qindra njerëzve
Rreth orës 14:30 ka mbërritur në varrezat e qytetit të Fierit kortezhi ku mes atyre që kishin ardhur t’i jepnin lamtumirën e fundit Irisit ishin edhe pedagogë e shoqe të saj. Qindra buqeta me lule janë vendosur mbi arkëmortin e 22-vjeçares, teksa nëna, babai, vëllai dhe gjyshi i saj, Todi, nuk arrinin dot t’i përmbanin ngashërimet dhe lotët teksa ajo do të ndahej përgjithmonë nga ata. Babai i nënës, Todi, nuk është përmbajtur duke shpërthyer në ngashërime e thirrje që i drejtonte mbesës së pajetë. “Ku të të gjej Iris? Pse ike? Dua Irisin tim! Ku të të gjej tani gjyshi ty?”, shprehte dhimbjen e tij i moshuari që kishte ardhur në ceremoninë mortore me paterica, pasi ishte operuar para disa javësh.
Gjatë leximit të nekrologjisë, familjarët e kanë cilësuar si lulen e bukur të familjes së tyre Irisin, e cila ishte gjithmonë e buzëqeshur, por që tashmë mungesa e saj e kishte krijuar një boshllëk të pariparueshëm. “Ti na le bosh. Ishe si një dritë, si një lule që shkëlqeje me buzëqeshjen tënde. Ti ishe një engjëll, shembulli i fëmijës së mirë, të edukuar e studioze e dashur. Por sot ti ike kaq papritur, duke e ndërprerë jetën tënde e duke na krijuar një hapësirë boshe, një dhimbje shumë të madhe, të pariparueshme”, u tha midis të tjerave gjatë leximit të nekrologjisë.
Në ceremoninë mortore nuk kanë munguar as miqtë e prindërve e të vëllait të 22-vjeçares, disa prej të cilëve kishin ardhur nga jashtë shtetit për t’u qëndruar pranë në këto çaste të vështira. Të gjithë qëndronin të heshtur para dhimbjes që kishte shkaktuar largimi i parakohshëm nga jeta i Irisit dhe e kishin të vështirë të tregonin atë që ndienin. Madje edhe shoqet e mikeshat e saj të Fakultetit të Ekonomikut e kanë pasur të vështirë të flasin gjatë, për të treguar se cila ishte Irisi. Shkurtimisht njëra prej tyre tregon me zë të mekët se Irisi ishte mjaft e dashur, e sjellshme dhe se përpiqej të mësonte sa më shumë.
“Nuk di ç’të them. Na iku para kohe një shoqe…. Ishte kaq e re, në lule të moshës. Ishte mjaft e dashur dhe e sjellshme. Studionte shumë dhe përpiqej t’i ndihmonte të tjerët. Nuk dimë t’i japim shpjegim asaj që ndodhi. Me aq sa dimë, prindërit kujdeseshin shumë për të. I qëndronin pranë. Për ne është një humbje e madhe. Nuk di ç’të them më”, pohoi një prej shoqeve të saj pas ceremonisë së varrimit. Por, veç shoqeve të kursit dhe pedagogëve, në ceremoninë mortore kanë qenë të pranishëm edhe nxënës e mësues të shkollës jopublike “Flatrat e Dijes”, ku e ndjera ka mësuar në shkollën nëntëvjeçare dhe atë të mesme
Historia e Irisit dhe e familjes
Familja Belba ka jetuar për rreth dy dekada në qytetin e Fierit, derisa Irisi ka nisur studimet e larta në Tiranë. Dashamiri ka punuar me importin e mobilieve nga Turqia dhe sipas të afërmve nuk kishin probleme ekonomike. Kurse nëna e studentes, Esmeralda ka qenë e angazhuar në sport kur ka qenë e re. Nga martesa e tyre, ata kanë gëzuar një djalë që tani i ka mbushur 26 vjeç dhe Irisin. Por, problemet e vajzës duket se e kanë tronditur familjen Belba pak vite më parë, të cilët edhe pse janë përpjekur të marrin masa për të parandaluar më të keqen nuk ia kanë dalë dot.
Sipas të afërmve dhe disa fqinjëve të familjes Belba, kur Irisi ka qenë duke përfunduar provimet e maturës, ka shfaqur rëndesë psikologjike. Ata shprehen se nuk kanë ditur ndonjë arsye pse vajza mund të jetë rënduar psikologjikisht, por dyshojnë për shkak të angazhimeve të saj në mësime. Gjithashtu, ata pohojnë se kanë pasur dijeni se ajo merrte edhe pilula kundër depresionit, por duket se barnat nuk e kanë dhënë efektin e duhur. Kur ka shkuar në shkollë të lartë shqetësimet e saj kanë vazhduar dhe janë kthyer në kronike duke bërë që 22-vjeçarja të jetojë në gjendje depresioni. Rreth një vit më parë, ajo ishte dërguar nga prindërit për një vizitë mjekësore në Greqi. Që nga ai moment, ajo kurohej me ilaçe, ndërsa nëna e saj është transferuar në Tiranë, me qëllim që t’i qëndronte pranë. Sipas të afërmve, vajza ka arritur rezultate të mira edhe në fakultet. Ata shtojnë se ajo ishte një vajzë me sedër dhe ishte e fokusuar te studimet.
Ndërkohë, nga të njohur të tjerë të familjes Belba mësohet se Irisi kishte pasur shqetësime psikologjike gjatë gjithë kohës kur ka qenë me studime në shkollë të lartë në Tiranë. Madje, sipas atyre që ata pohojnë se kanë dëgjuar, sjelljet e saj ndonjëherë të pakuptueshme kishin bërë që disa prej shoqeve t’i qëndronin larg. Sipas nënës së një prej shoqeve të saj, e cila nuk ka preferuar të identifikohet, një herë Irisi i kishte shprehur një mendim të çuditshëm vajzës së saj teksa ishin duke kaluar një rrugë automobilistike. Mësohet që Irisi ta ketë pyetur shoqen me të cilën po ecte, se sikur të hidhej para makinës, çfarë mund të ndodhte. Ky mendim i Irisit duket se e ka trembur shoqen e saj, e cila ka nisur t’i qëndrojë më larg. Sipas të njohurve të familjes Belba, mund të ketë qenë mbingarkesa e studimeve në një kohë që ajo vuante nga depresioni që e ka çuar drejt marrjes së vendimit për t’i dhënë fund jetës në këtë mënyrë.