Indeksi i Çmimeve të Konsumit në muajin qershor 2016, arriti 100,2 %, kundrejt muajit dhjetor 2015 (Dhjetor 2015=100). Sipas INSTAT-it, në muajin qershor 2016 ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit është 1,2 % . Një vit më parë ky ndryshim ishte 1,4 %.
INSTAT vlerëson se rritja vjetore në muajin qershor është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +0,97 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Shërbimi arsimor” kanë kontribuar me +0,19 pikë përqindje. Gjithashtu, çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” kanë kontribuar me +0,07 pikë përqindje. Çmimet e grupit ”Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” kanë kontribuar me +0,06 pikë përqindje.
Sipas INSTAT-it, në indeks çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” dhe “Argëtim dhe kulturë” kanë kontribuar secili me nga +0,04 pikë përqindje, ndërsa çmimet e grupit “Hotele, kafene e restorante” kanë kontribuar me 0,03 pikë përqindje dhe çmimet e grupit “Shëndeti” me 0,02 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Transporti” kanë kontribuar me -0,23 pikë përqindje dhe çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” me -0,06 pikë përqindje.
Krahasuar me muajin qershor 2015, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shërbimi arsimor” me 4,8 % pasuar nga grupi, “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 2,7 %, grupi “Argëtim e kulturë” me 1,6 %, grupi “Pije alkoolike dhe duhan” me 1,4 %.















