Një infermiere ka dhënë një dëshmi tronditëse të kushteve të padurueshme në një spital të Londrës që po trajton të sëmurët me Covid, në një kohë që mjekët paralajmërojnë së më e keqja e valës së dytë të koronavirusit nuk ka ardhur ende.
Tabloidi britanik “Metro.co” raporton se infermierja e cila punon në Spitalin Whitington në Veri të Londrës, flet për pacientë që lihen nëpër korridoret e spitalit me aparate oksigjeni, dhe të tjerë që kanë kaluar deri në 3 orë në ambulancë për shkak të mungesës së shtretërve në spital. Madje ajo shton se ka momente kur pacientët mbeten pa oksigjen kur cilindri i tyre shteron.
“Unë jam e shqetësuar për sigurinë e pacientit sepse nëse këto gjëra të vogla po ndodhin tani kur ne jemi nën kufizim, gjendja vetëm do të përkeqësohet. Nuk e di se çfarë do të ndodhë tjetër, kjo më shqetëson”, shprehet infermierja në kushte anonimati.
Ajo tha se 6 shtretër po improvizohen në dhoma që zakonisht akomodojnë 4 pacientë. “Ka pacientë që lihen me oksigjen nëpër korridore dhe presin të kthehen në dhomën e tyre”, u shpreh ajo.
Infermierja i bën thirrje qeverisë të nisë një bllokim të plotë, duke thënë se kushtet ishin tashmë “të padurueshme” dhe situata ka të ngjarë të përkeqësohet me pikun që pritet në javët e ardhshme pasi disa familje u mblodhën për të festuar në Krishtlindje.
Ajo tha se nuk ka mjaftueshëm infermierë për t’u kujdesur për pacientët në spitale dhe se rritja e numrit të pranimeve po dëmton personelin e rraskapitur nga ngarkesa.
“Morali i stafit është i ulët. Ne nuk kemi tejkaluar fizikisht, emocionalisht dhe mendërisht valën e parë, dhe tani duhet të përballemi me të dytën”, tha infermierja.




















