“Divali”, ngjarja më e rëndësishme hindu në Indinë veriore, shënon fitoren e së mirës ndaj së keqes. Qeveria lokale e kryeqytetit indian njoftoi javën e kaluar se do të instalonte pastrues ajri pranë rrugëve, në një përpjekje për të reduktuar efektet e fishekzjarreve.
E megjithatë, shikueshmëria në rrugë ishte tejet e ulët mëngjesin e së hënës, për shkak të “perdes së trashë” të smogut që mbulonte qytetin. “Hashtag”-u #smog ishte një prej më të përhapurve në “Twitter” nga indianët.
“Goxha shfaqje ajo e mbrëmshmja. Asfiksim i ri”, pohonte një përdorues i zemëruar. Përpara “Divalit”, një sërë aktivistësh kërkuan reduktimin e përdorimit të fishekzjarreve, por fushata të tilla kanë shkuar në vesh të shurdhër.
Një studim i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në vitin 2014 arriti në përfundimin se, 13 prej 20 qyteteve më të ndotura në botë ishin në Indi. Lista kryesohej pikësisht nga Nju Delhi. Ndotja e ajrit po shton gjithnjë e më shumë rastet e vdekjeve të parakohshme në Indi, me 620 mijë njerëz që vdesin çdo vit si pasojë e sëmundjeve që kanë lidhje me këtë fenomen.






















