Një incident është shënuar në Prishtinë, pak para nisjes së ceremonisë së inaugurimit të presidentit të ri të Kosovës, Hashim Thaçi.
Dy kapsolla me gaz lotsjellës janë hedhur pranë të ftuarve në ceremoni, ndërsa u krijua kaos mes tyre.
Lëvizja Vetëvendosje, përmes një deklarate për mediat, ka marrë përgjegjësinë për hedhjen e gazit lotsjellës.
“Hashim Thaçi nuk është dhe kurrë nuk do të jetë president i Republikës së Kosovës. Ai u zgjodh si rezultat i shantazhit dhe blerjes së deputetëve të LDK-së dhe si rezultat i kompromiseve ndaj Listës Serbe të Serbisë. Ai u zgjodh vetëm pasi anuloi demokracinë, duke nxjerrë dhunshëm nga Kuvendi dhe duke arrestuar deputetët e opozitës. Karriera e tij politike është e përshkuar nga dy veprimtari: kompromise të vazhdueshme ndaj Serbisë – dhunë, krim e korrupsion ndaj popullit të vet. Prandaj nuk do ta pranojmë e njohim asnjëherë si president të Republikës sonë. Do ta kundërshtojmë vazhdimisht dhe pa kompromis. Siç e kundërshtuam sot”, thuhet në deklaratë.
















