Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndodhet për vizitë kreru I Kishës Katolikë në Kosovë, Imzot Dodë Gjergji, i cili ka shkuar për një fushatë grumbullimi të fondeve për ndërtimin e Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë.
Për këtë katedrale komuniteti shqiptaro-amerikan deri tani ka dhuruar më shumë se 1.5 milionë dollarë.
Ai foli për një numër çështjesh që kanë të bëjnë me pozitën e katolikëve në Kosovë, si dhe përpjekjet e qeverisë për njohje diplomatike nga Vatikani.
“Përpiqemi të kryejmë detyrat ndaj vendit dhe ndaj besimtarëve. Përpiqemi të ndërtojmë bashkërisht të ardhmen”, tha ai për ‘Zërin e Amerikës’.
I pyetur pse Vatikani nuk e njeh Kosovën, Imzot Gjergji tha:
“Vatikani ka treguar dashuri për popullin shqiptar. E njëjta vlen edhe për luftën e fundin në Kosovë. Vendimet rreth njohjes janë marrëdhënie mes shteteve e jo kompetencë e imja. Relacionet mes Kosovës dhe Vatikanit janë nivel të mirë komunikimi. Dhe, njohja do të vijë”.
I pyetur rreth marrëdhënieve mes bashkësive fetare në Kosovë, ai thotë se “te ne ekziston dashuria ndër-vëllazërore mes shqiptarëve, pa marrë parasysh rajonin dhe fenë… Ne merremi me të mirën e të bukurën, në dashurinë që shqiptarët kanë ndër vete. Ndihemi keq për disa që janë jashtë traditës dhe kulturës pozitive shqiptare”.














