Deputeti Ilir Deda, i cili u largua edhe formalisht nga Vetëvendosja, ka paralajmëruar se do të krijojë një subjekt të ri politik.
“Gjatë muajve të ardhshëm do të angazhohem në krijimin e një subjekti të ri politik. Fronti opozitar do të zgjerohet, e një pjesë e brezit të ri politik do ta gjejë veten në përpjekjen e vazhdueshme politike për Kosovën normale – me punësim e jo varfëri, drejtësi e pa korrupsion, e për Kosovën shtet funksional me dinjitet dhe të barabartë me botën”, ka shkruar Deda në profilin e tij në Facebook, pak pasi e ka zyrtarizuar largimin nga Vetëvendosje.
Deda ka konfirmuar se nëntë muajt e fundit ka pasur dallime të mëdha konceptuale me udhëheqjen e Lëvizjes Vetëvendosje dher se gjatë kësaj kohe ka vepruar jashtë kësaj partie.
Megjithatë ai ka lënë të hapur mubndësinë e bashkëpunimit politik me Vetëvendosjen, në të ardhmen.
“Edhe pse jo më në një ombrellë politike, ne do të bashkëpunojmë, kudo që ka hapësirë për ndryshimin e Kosovës”, ka shkruar Deda.
Ilir Deda ishte në mesin e themeluesve të partisë Fryma e Re (FER), e cila nuk kishte arritur të merrte votat e mjaftueshme për të hyrë në Kuvend.
Tash për tash ka vetëm spekulime se më kë do ta themelojë Deda partinë e re. Kohë më parë, ai dhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, kishin hartuar një plan pesëpikësh për daljen e vendit nga kriza politike.















