Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ka kallëzuar penalisht ish-ministrin e Financave, Ridvan Bode me akuzën e fshehjes së pasurisë. Sipas ILDKP, Bode ka refuzuar të paraqesë dokumentin justifikues-ligjor të të ardhurave të tij financiare, pavarësisht disa kërkesave të njëpasnjëshme të inspektoratit.
Bode akuzohet për veprat penale të “Refuzimit për deklarim, mosdeklarimit, fshehjes ose deklarimit të rremë të pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga nenet 257/a/1/2 dhe 287 të Kodit Penal.
“Subjekti Ridvan Bode dhe pse u njoftua disa herë nga ILDKPKI gjatë procesit të hetimit administrativ, refuzoi të paraqitet për të dhënë shpjegime, lidhur me burimin e krijimit të pasurive të tij, familjarëve dhe të personave të lidhur me të, si dhe të paraqiste dokumentacionin justifikues-ligjor për to
Pas depozitimit të kallëzimit penal, Inspektori i Përgjithshëm i kërkon Kuvendit të Republikës së Shqipërisë marrjen e masave të menjëhershme që raste të tilla, deputetësh që guxojnë të shpërfillin kërkesat e institucioneve ligj-zbatuese në Shqipëri, të mos përsëriten më në të ardhmen”, thuhet në njoftimin e ILDKP-së
Ridvan Bode: Padi penale kreut të ILDKP, kallëzimi synon denigrimin e personit tim
Ish-ministri i Financave, Ridvan Bode ka reaguar pas kallëzimit penal të depozituar sot ndaj tij nga ana e ILDKP me akuzën e fshehjes së pasurisë. Deputeti demokrat deklaron se e gjithë padia synon denigrimin e personit të tij dhe ka prapaskenë të qartë politike. “Deklarimet e pasurisë janë bërë konform ligjit”, thotë Bode.
















