Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi kërcënon Ramën me largim nga koalicioni qeveritar. Në mbledhjen e sotme të Këshillit Kombëtar të kësaj partie, Idrizi u tregua i ashpër me qeverinë, sa i përket qëndrimeve të kësaj të fundit në raport me Athinën e në mënyrë të veçantë me çështjen çame. Idrizi kërkoi miratim nga Këshilli Kombëtar i partisë së tij për të rinegociuar marrëveshjen me koalicionin
“Qëllimi ynë është të qëndrojmë në bashkëqeverisje, për të përçuar kauzat dhe interesat tona, mirëpo, nëse nuk na duan, atëherë ne nuk kemi dilema. Përpara kauzave nuk vendosim asgjë. Përpara Shqipërisë nuk na përkul asgjë. Prandaj sot kërkoj rimandatimin tuaj, që së bashku me grupin parlamentar të vlerësojmë ecurinë e marrëveshjes dhe të dialogojmë me mazhorancën.Në të kundërt, alternativat janë të hapura, sepse, prania jonë është e fortë dhe solide. Qytetarët na kanë besuar pesë mandate në Kuvendin e Shqipërisë, pesha jonë zgjedhore është e konfirmuar dhe çdo ditë na bashkohen zemra, që rrahin fort për këtë vend dhe për këto kauza”, tha Idrizi.
Kreu i PDIU-së nuk e ka shprehur hapur, por pjesë e pakënaqësisë së tij me Ramën është edhe sigurisht premtimi i pambajtur për dhënien e një ministrie PDIU-së. Disa herë Idrizi ka thënë se me Ramën ka bërë marrëveshje për një ministri, por deri më tani partisë së tij i janë dhënë disa drejtori dhe një zv.ministër. Ai është shprehur i prerë që nuk do të lejojë ndërtim të varrezave të ushtarëve grekë në Shqipëri, nëse nuk ngrihen varreza të shqiptarëve të Çamërisë në qytetet nga ku i përzunë me dhunë.
Duket se Shpëtim Idrizi po shfrytëzon momentin e miratimit të reformës në drejtësi, kur Ramës i duhen votat, për të rritur pazarin e tij politik dhe për të marrë më shumë pushtet. Sidoqoftë largimi i tij nga koalicioni qeveritar ka pak gjasa të ndodhë. PDIU është një parti që ka anuar gjithnjë nga pushteti, duke braktisur disa herë koalicionet opozitare. Megjithatë mbetet për t’u parë edhe nëse Rama do të lëshojë pushtet apo jo.
















