Kreu i PDIU-së shprehet se ka ardhur momenti që historianët të ngrenë zërin
Kryetari i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, deklaroi dje se historianët dhe shkencëtarët duhet të jenë në pararojë të çështjes çame dhe dënimit të gjenocidit grek në të bërë në fundin e Luftës së Dytë Botërore me popullsinë e krahinës së Çamërisë. Gjatë një konference të mbajtur për vlerësimin e trashëgimisë kulturore dhe diskutimeve të perspektivës për çështjen çame, Idrizi theksoi se ka ardhur momenti që historianët të ngrenë zërin për këtë çështje dhe të thonë të gjitha të vërtetat. Sipas tij, ata duhet të jenë në pararojë të qëndrimeve politike në lidhje me një çështje të tillë e cila prek të gjithë shqiptarët. “Sigurisht që grekët kanë qenë më të aftë se ne që në katedrat e historisë botërore të vendosin njerëzit e tyre, ndaj unë e vlerësoj jashtëzakonisht takimin e sotëm. Unë mund të them që është mirë që të vërtetat tona historike të arrijmë t’i përçojmë nëpër auditorët e botës, duke filluar që nga tekstet shkollore tonat ku pak ose aspak flitet për Çamërinë”, theksoi Idrizi në formën e një thirrjeje ndaj historianëve shqiptarë dhe më gjerë. Ndërkaq, ai theksoi se njohja e çështjes çame nuk mund të vonohet më shumë nga pala greke. Kreu i PDIU-së deklaroi se kjo nuk ishte një çështje që interferonte në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, por ishte një çështje e të drejtave të njeriut e cila duhet të ngrihej si e tillë. Idrizi theksoi se marrëdhëniet paqësore mes vendeve janë të gënjeshtërta dhe se Greqia vazhdon të ushqejë kulturën e saj të urrejtjes. Aktualisht, në vend ekziston një rezolutë për zgjidhjen e çështjes çame, e cila është miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë dhe për të cilën bashkohen të gjithë deputetët e Kuvendit pa dallim ngjyrimi politik. Ndërkaq, në mënyrë të herëpashershme përfaqësuesit e lartë të diplomacisë dhe politikës shqiptare, siç është dhe ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, e kanë ngritur këtë çështje për diskutime me palën greke.
Aleanca Kuqezi
Spahiu: Rama mos ia lër Himarën Greqisë, është e Labërisë
Kryetari i Aleancës Kuqezi, Kreshnik Spahiu, gjatë mbledhjes së djeshme të Këshillit Kombëtar të kësaj partie i bëri thirrje Kryeministrit Edi Rama që të mos toleronte trazirat në Jug, të cilat mund të krijoheshin nga qarqet nacionaliste greke për çështjen e Himarës. Sipas tij, të gjithë duhet të ishin të qartë se Himara nuk ishte e Greqisë, por e Labërisë. “Ultranacionalistët kërkojnë që Himara të jetë me Greqinë. Himara është e Labërisë, jo e Greqisë. Do na keni në krahë sa herë vihet në diskutim çështja e pavarësisë. Edi Rama: Mos lejo Dulen dhe Bollanon të nxisë konflikt në Jug të Shqipërisë. Himara është shqiptare çdo pëllëmbë toke e saj është e jona”, deklaroi Spahiu në fjalën e tij. Ndërkaq, Spahiu përshëndeti zgjedhjet në Kosovë, duke i vlerësuar ato si të lira e të ndershme. Sipas tij, kosovarët nuk e shitën votën për 20 euro, siç ndodh në Shqipëri. “Shqiptarët në Kosovë nuk e shitën votën. Në Shqipëri, njerëzit shiten për 20 euro. Shqiptarët në Kosovë i nxorën milionerët jashtë Kuvendit. Kurse ne i fusim brenda. Së bashku të japim urim të drejtpërdrejtë për udhëheqësin e luftës Ramush Haradinaj. Aleatët strategjikë të AK janë votuar në shumicë dhe po marrin mbështetje në Kosovë”, uroi Spahiu.













