Shkrimtari i mirënjohur Bashkim Shehu, në një fjalë të mbajtur para disa kohësh, në Shtëpinë e Librit dhe Komunikimit në Tiranë, nën temën “Në kërkim të dimensionit të humbur: Mesdheu”, ndër të tjera nënvizon faktin se çelësi mbetet komunikimi mes popujve, që Mesdheu sërishmi të jetë mare nostrum:
“Po në epokën e sotme? Në epokën e sotme, të ashtuquajtur “post-moderne” (etiketë paksa e vjetëruar kjo tashmë, siç vjetërohen me shpejtësi etiketat në ditët tona), personifikimi është i pamundur. Njeriu konceptohet si një rezultante faktorësh determinues të pakontrollueshëm nga uni i tij, si një paralelogram forcash sociale, ekonomike apo genetike dhe shfaqet si i privuar nga mëvetësia e të menduarit të arsyeshëm dhe e zgjedhjes së lirë të moralshme. Ndërsa Mesdheu, me një mori sistemesh diktatoriale, komuniste apo fashiste, në njëqind vjetët e fundit, me luftëra ndëretnike, terrorizëm shtetëror ose joshtetëror, dyndje refugjatësh që mbyten ngushticave të Otrantos apo të Gjibraltarit, në 10 vjeteshin e fundit dhe deri në ditët e fundit, nuk i përngjan aspak përfytyrimit mbi djepin e kulturës.
Megjithatë, mendoj se këtij përfytyrimi dhe traditës humaniste që ai përmban, ia vlen t’i rikthehemi. Duke vazhduar të besoj në mënyrë të pandreqshme në idetë e iluminizmit, mbi të cilat ngrihen shoqëritë e botës euroatlantike, të “Atlantidës së re”, mendoj se edukimi me vlerat që lindën në mare nostrum do të ishte i dobishëm, përkundër tmerreve që i jetojmë ose që i mësojmë çdo ditë nga mediat. Siç thoshte CharlesPeguy, Homeri është më aktual se gazeta e djeshme. Dhe mund të shtohet se komunikimi, përkundër mbylljes e urrejtjes, do të ndihmonte në promovimin dhe riaktualizimin e atyre vlerave. Madje, nga komunikimi duhet filluar, që Mesdheu sërishmi të jetë mare nostrum.”