Të gjithë azilkërkuesit ekonomikë nga Shqipëria dhe Kosova që ndodhen në Gjermani do të kthehen. Kjo është deklarata e bërë nga ambasadori gjerman në vendin tonë, Helmut Hoffman.
Gjatë një takimi që zhvilloi në qytetin e Elbasanit me kryebashkiakun, Qazim Sejdini, Hoffman bëri me dije se vetëm gjatë janarit, kanë udhëtuar në drejtim të Gjermanisë, 1 600 azilkërkues ekonomikë nga trojet shqiptare.
Ai u shpreh i vendosur se asnjëri prej këtyre shtetasve shqiptarë, nuk do të përfitojë azil, por përkundrazi, të gjithë do të kthehen. Hoffman nënvizoi se Gjermania ka pranuar disa azilkërkues politikë, por nuk do të pranojë asnjë azilkërkues që largohet nga vendi i tij për arsye ekonomike.
“Vetëm në janar në Gjermani erdhën 1 600 azilkërkues ekonomikë nga trojet shqiptare, të cilët shumë shpejt do të kthehen. Kemi pranuar azilkërkues për arsye politike por nuk do të pranojmë azilkërkues ekonomikë”, tha Hoffman nga Elbasani.
















