Në tryezën e reformës për drejtësinë Ambasadori i SHBA-së nënvizoi sërish rëndësinë e reformës në drejtësi.
Në një sistem të korruptuar viktima janë gratë, të varfërit dhe personat pa pushtet politik. Dëshmi e saj është historia e një gruaje dhe padrejtësia që iu bë në gjykatë. Këtë e tregoi ambasadori amerikan Donald Lu
Donald Lu: Një nga arsyet pse na intereson kaq shumë reforma në drejtësi është historia e një gruaje shqiptare dhe sesi një gjyqtar privoi atë nga fëmijët e saj.
Ajo ishte martuar me një burrë që e kishte rrahur për shumë vite. Ai ishte dënuar më parë për krime seksuale, pas vitesh vuajtje ajo më së fundi gjeti kurajon ta linte bashkëshortin për sigurinë e fëmijëve të saj. Kur ajo shkoi në sistemin gjyqësor për të kërkuar drejtësi gjeti më shumë vuajtje.
Gjyqtari i dha bashkëshortit të saj, një krimineli të dhunshëm seksual të dënuar më parë, të gjithë pasurinë dhe kujdestarinë për dy nga tre fëmijët e saj, kjo i theu zemrën. Pse një gjyqtar do të vendoste në favor të një personi të tillë?
Një arsye e thjeshtë: Korrupsioni.
Korrupsioni në drejtësi jo vetëm lejon gjyqtarët e politikanët të mbushin xhepat me para të pista por shkatërron jetën e njerëzve të ndershëm.
Në një sistem të korruptuar viktimat shpesh janë gra. Të pasurit e të fortët blejnë drejtësinë. Ndërsa të varfërit dhe ata pa pushtet politik janë viktima.
Sa nga ne kanë dëgjuar histori të tilla. Sa herë ju vidhen të drejtat grave të pafajshme në Shqipëri nga gjyqtarë të korruptuar dhe të paaftë. Për sa kohë duhet të presim që të pasurit dhe të fuqishmit të thonë se nuk janë ende të kënaqur me këtë reformë në drejtësi?
Propozimi aktual për reformën në drejtësi po u jep njerëzve shpresën se ndryshimi po vjen. Ekspertët tanë nga SHBA e BE, u përfshinë aktivisht në hartimin e secilit prej 58 ndryshimeve kushtetuese.
Ndryshe nga propozimet e mëparshme ky propozim afron një mekanizëm për të vlerësuar dhe larguar gjyqtarët e prokurorët e korruptuar dhe të paaftë. Ai ngre sistem më të mirë për të disponuar gjyqtarët dhe prokurorët në të ardhmen dhe ristrukturon funksionet e Prokurorit të Përgjithshëm për të nxitur më pak politizim. Ne bashkëndajmë përgjegjësinë e këtij propozimi dhe I përkrahim ata fuqimisht.
Po punë e vështirë nuk ka mbaruar. Është e rëndësishme që qytetarët shqiptarë e udhëheqësit e tyre të kenë mundësinë e diskutimit të kësaj reforme të rëndësishme.
Në këtë javë kemi parë një vlerësim paraprak të propozimit nga Komisioni i Venecias. E dimë se propozimi i tanishëm i reformës duhet të përfshijë ndryshime të rëndësishme për të reflektuar idetë më të mira nga misioni i Venecias, ekspertët e opozitës, gjyqtarët, prokurorët, juristët.
Ky proces ka filluar tashmë.
Së fundi: Kjo reformë në drejtësi i jep Shqipërisë një mundësi për të pastruar sistemin e drejtësisë nga ky kancer i korrupsionit dhe për të rivendosur besimin e burrave dhe grave të zakonshme, se ata do të marrin drejtësi.
Ndërsa shqiptarët sugjerojnë nëse do të mbështesin ose jo këtë reformë, u kërkoj atyre të konsiderojnë gruan e ndershme që humbi fëmijët e saj, shtëpinë e saj, jetën e saj sepse një gjyqtar i korruptuar vendosi se i duheshin më shumë para për të financuar stilin e tij luksoz të jetesës./Ora
















