UDB-ja i dha fund historisë së saj në vitin 2002, menjëherë pas ndryshimeve demokratike që rrëzuan Millosheviçin nga pushteti.
U vendos që DB-ja duhej të shpërbëhej dhe shefi i saj Rade Markoviç u nxor në gjyq për vrasje.
Në të njëjtin vit, Serbia formoi Agjencinë e Shërbimit Informativ. Shumë nga stafi i DB-së mbetën aktivë në agjencinë e re ose u sistemuan në organe të tjera shtetërore.
JSO-ja megjithatë ekzistoi deri në vitin 2003, kur ajo u shpërbë për shkak se shumë nga anëtarët e saj, përfshirë Legija, ishin të përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë në vrasjen e kryeministrit serb Zoran DjinDjiç.
Të njëjtin vit, ICTY-ja ngriti një aktakuzë kundër Stanisiçit dhe Simatoviçit, duke i akuzuar ata për vrasje, persekutim në baza politike, racore dhe fetare, dëbim dhe vepra çnjerëzore.
Në rrjedhën e 15 viteve që nga rrëzimi i Millosheviçit, disa anëtarë të DB-së kanë dalë në gjyq për vrasje politike pas vitit 1999, por jo për krime lufte.
Legija u dënua me 40 vjet burg për rolin e tij në vrasjen e Djindjiçit, ndërsa ish-shefi i DB-së Markoviçi aktualisht po vuan dënimin me 40 vjet burg për vrasjen e ish-presidentit serb Ivan Stamboliç dhe krime të tjera.
Markoviç dhe tre anëtarë të tjerë të DB-së janë gjithashtu në gjyq për vrasjen e gazetarit dhe kundërshtarit të Millosheviçit, Slavko Curuvija në vitin 1999.
Gjyqi, i cili konsiderohet si tepër i rëndësishëm për të kuptuar rolin që luanin shërbimet e sigurimit në Serbi, së fundmi është penguar nga një kërkesë nga Agjencia Informative Shtetërore për të mos lejuar disa ish-zyrtarë të DB-së të dëshmojnë. Agjencia u shpreh “se dëshmitë e tyre mund të kërcënojnë sigurinë kombëtare të Serbisë”.
Ndërkohë, të gjitha arkivat e SDB-së jugosllave dhe DB-së serbe mbeten ende të mbyllura, ndërsa qeveria pretendon se ende nuk është e gatshme të merret me pasojat e hapjes së dosjeve, duke ngritur spekulime mbi sekretet e errëta që mund të fshihen ende në to./Birn
















