Kryeministri Rama e ka shfrytëzuar për një operacion të vërtetë marketingu politik, të drejtën e tij për të ndarë pensione të veçanta. Dy ditë më parë në të gjitha mediat e vendit u publikua lajmi se qeveria i kishte akorduar një pension prej 500 mijë lekësh të vjetra, këngëtarit të ndarë nga jeta Florian Kondi, të cilin e përfitojnë e veja e tij Blerina dhe i biri i cili ka probleme jo të lehta shëndetësore.
Në pamje të parë xhesti është fisnik. Përpara zbatimit të ligjit publiku i gjërë, fansat dhe miqtë e Dr Florit, mund të vlerësojënë zëmërgjërësinë e kryeministrit i cili bëri këtë nder me paratë publike.
Ata mund të mos shtrojnë pyetje të rëndomta si: sa artistë të mëdhej shqiptarë e kanë përfituar këtë pension të veçantë? Sa nëna fëmijësh autikë e kanë këtë mundësi?
Vetëm po u ngritën këto pikëpyetje arrihet tek një tjetër?
Përse e bëri Edi Rama këtë?
Për ti’u përgjigjur kësaj duhet njohur pak historia.
Ramën dhe Florian Kondin i lidhi fillimisht grupi “West side family” me të cilin ish kryebashkiaku këndoi për herë të parë hitin “Tirona” në fushatën 2003.

Ai e përsëriti këtë eksperiencë edhe 6 vite më vonë kur këndoi këngën e Partisë Socialiste “çohu” para fushatës së vitit 2009.
Por, katër vite më pas DR Flori i la pas angazhimet e tij dhe u shfaq me himnin « Zemërthyer », një këngë revolte për bashkimin e Ramës me Metën. Atëhere kjo këngë që një pati efektin e një shock-u u bë tepër shqetësuese për koalicionin e një prillit, aq sa u tha se njerëz pranë tij blenë shtrenjtë të drejtat dhe ajo nuk u shfaq më kurrë.
“Kjo është një këngë që është krijuar nga çdo gjë që ka ndodhur këto vite. Zhgënjimi është kudo në këtë projekt. Zemërthyer, nga pazari që u bë me idealin. Zhgënjim për ne idealistët, që dolëm në shesh në protestën e 21 janarit 2011”, i tha atherë Dr.Flori, gazetës Panorama duke folur si një nga qytetarët që morën pjesë në revoltat e 21 janarit.
Që prej kësaj dite marrëdhëniet e Ramës me njeriun që i kishte kënduar dy këngë fushate u ndërprenë. Kryeministri i ardhshëm nuk mund t’ia falte mikut të tij artist pjesmarrjen në korin e atyre zërave të pakët që e quanin herezi tradhëtimin e 21 janarit dhe bashkimin me Metën. Refreni: “Zemëthyer kaloj… dhe dhimbjen ka me vete ai që veten tradhëtoi… Nuk ka më shpresë për nesër….”, ishte i tmerrshëm (shih videon poshtë).
Por, pas vdekjes së papritur të këngëtarit, Rama, si mjeshtër i komunikimit, u ngrit mbi mërinë e këngës që ishte si një thikë pas shpine në momentin e tij më të vështirë. Kur mori vesh fatkeqësinë ai shkroi në Facebook: “Lamtumirë miku im gjenial”.
Dhe këtë rol prej zemërgjeri diti ta shfaqë edhe në emisionin e para pak kohëve “6 ditë pa Ermalin” (videoja poshtë).
Gjatë këtij emissioni, Ermal Mamaqi ndaloi për një moment humorin në studion e tij për t’i bërë Kryeministrit Rama një kërkesë serioze.
Ai i kërkoi ndihmë dhe asistencë ekonomike për djalin e vogël të Dr. Florit që vuan nga sindroma down. “Duhet ta dini se Dr. Flori la pas një fëmijë të vogël, një djalë më sindromën down. Po flas tani në emër të shoqërisë dhe familjes: A është e mundur t’i lidhim një tip pensioni, për Florin si artist?”
Mamaqi e pyeti Ramën nëse ai do ta pengonte këtë gjë duke i mbajtur inatin edhe pas vdekjes për qëndrimet e tij kritike ndaj tij.
Kryeministri u përgjigj se gjyshja i ka thënë se inati është e zeza e atij që e mban. “Do të shohim një mundësi”, tha Rama në fund të përgjigjes së vet për Ermalin.
Kaluan pak javë dhe ai tregoi se është një kalorës i denjë i premtimeve që jep në studio televizive. Qeveria njoftoi se i ka akorduar një pension të veçantë 500 mijë lekësh këngëtarit të ndjerë Dr. Flori.
Dhe pavarësisht nga ligjshmëria e këtij akti, Rama shfrytëzoi edhe njëherë rastin për të treguar se ndryshe nga ata që e akuzojnë dhe që i përmendin frazën: “S’keni parë gjë akoma”, ai zbaton porosinë e gjyshes për të mos mbajtur inat. Ai shfrytëzoi gjithashtu rastin për të bërë një operacion të mirëfilltë marketingu me paratë e taksapaguesve.















