Banorët thonë se bashkimi i Himarës me Vranishtin “do të sjellë vetëm dëmtime”, përkundër ministrit vendor Bledi Çuçi që thekson se “bashkimi është pozitiv për të rritur ekonominë”
Himarjotët kundërshtuan bashkimin e Himarës, me pjesë të Labërisë, në kuadër të procesit të ndarjes së re territoriale të vendit.
Himara, krahina e madhe jugore brenda kufijve politikë të Shqipërisë, pasi Konferenca e Londrës 1913 i dha Greqisë, Çamërinë, është parashikuar të krijohet si njesi vendore bashkë me Vranishtin e Labërisë dhe Lukovën e Sarandës.
Një territor etnikisht i pastër shqiptar me pretendime të një pakice të vogël greke, Himara u bë vendpritja e radhës e dëgjesës dhe këshillimit publik të ministrit të Çështjeve Vendore, Bledi Çuçi të premten.
Diskutimi u bë në tërësi për hartën e re të territorit me 39 ose 47 njesi vendore, sipas përfundimit të dy prej 5 projekteve që u paraqitën në Komisionin e Posaçëm, të Kuvendit për Reformën Administrative dhe Territoriale.
Disa banorë e kundërshtojnë veçanërisht bashkimin me Vranishtin dhe mandej me Lukovën.
Ata thonë se bashkimi me Vranishtin “do të sjellë vetëm dëmtime”, përkundër ministrit vendor që theksoi se “bashkimi është pozitiv për të rritur ekonominë”.
Sipas ministrit Çuçi, Himara, Vranishti dhe Lukova janë një zonë funksionale më vete që do t’i sigurojnë banorëve më shumë të ardhura: “
“Me bashkimin e këtyre njësive parashikohet një rritje e buxhetit të investimeve me rreth 40 milionë lekë në vit”-tha zoti Çuçi.
Ai theksoi po ashtu se “Komuna e Vranishtit do të jetë një vlerë e shtuar për ekonominë e Himarës dhe Lukovës pasi zotëron potencial agrobujqësor” dhe se “agroturizmi është gjatë gjithë vitit, me pyjet dhe kullotat më të mëdha të kësaj zone”.
Të 50 takimet me dëgjesa dhe këshillime do të përfundojnë me gjasë pa përfunduar muaji korrik.