Hetim lidhjeve familjare dhe klienteliste mes anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ka qënë ky mesazhi i përcjellë nga anëtarët e Komisionit Hetimor për KLD, në mbledhjen e djeshme. Në hapje të mbledhjes, pas miratimit të planit të hetimit, deputeti socialist, Armando Subashi, deklaroi se KLD, Shkolla e Magjistraturës, ILDKP dhe Ministria e Drejtësisë, kanë dorëzuar dokumentacionin e kërkuar në mbledhjen e parë të komisionit hetimor. Kreu i këtij komisioni, Armando Subashi, pohoi se dokumentacionet e dorëzuara nga institucionet e sipërpërmendura do të vërehen me imtësi për të parë nëse qëndrojnë 10 shkeljet e konstatuara nga 39 deputetët e mazhorancës. “Kalendari i veprimeve hetimore brenda datës 7, datë në të cilën do të zhvillohet dhe mbledhja e radhës, do të verifikojë nëse dokumentat e sjellë janë të plotë apo jo. Dokumentat do shqyrtohen për të parë nëse qëndrojnë shkeljet e konstatuara nga grupi i deputetëve”, deklaroi Subashi, teksa njoftoi se komisioni hetimor në punën e tij, do asistohet nga këshilltarë ligjorë. Deputeti socialist, tha se në një prej mbledhjeve të këtij komisioni, do të thirren edhe 2 këshilltarët. Braho apel opozitës: Mos e lini në baltë Çefën Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Spartak Braho, i ka bërë apel opozitës që të marrë pjesë në Komisionin Hetimor. Kryesisht kreu i komisionit për Sigurinë Kombëtare, i ka bërë thirrje Eduard Halimit dhe Arben Ristanit që të mos lënë në baltë nënkryetarin e KLD, Elvis Çefa. Më tej ai shtoi se, nuk duhet të bëjë çudi për askënd që Çefa është emëruar si nënkryetar i KLD për t’i shërbyer organeve të tjera. “Nuk është çudi që Çefa është emëruar që t’i shërbejë organeve të tjera. Duke marrë shkas edhe nga deklarata e z.Halimi, që opozita do të jetë pjesë e tryezës për reformën në drejtësi, dua t’i bëj thirrje që të jenë pjesë edhe e komisionit. Z.Halimi dhe z.Ristani duhet të vinë këtu dhe të mos e lënë në baltë Çefën”, pohoi Braho. Të njëjtën kërkesë parashtroi edhe kryetari i komisionit Subashi i cili tha se opozita duhet të gjejë forcën për të ardhur në komision. “I bëj thirrje opozitës që të gjejë forcën dhe të vijë në komision”, tha Subashi. Kërkesa e komisionit ndaj Prokurorisë Kreu i Komisionit Hetimor, Armando Subashi, tha se komisioni do i nisë një shkresë zyrtare Prokurorisë ku do i kërkohet informacion nëse ndaj z. Çefa ka filluar një ndjekje penale. “Do të përfshijmë në planin e komisionit një kërkesë zyrtare që duhet t’i dërgojmë Prokurorisë për të marrë informacion nëse ndaj z. Çefa ka filluar një çështje penale”, deklaroi Subashi. Në mbledhjen e tij të parë konstituuese më 26 shtator, komisioni, ku nuk merr pjesë opozita, prezantoi një plan paraprak hetimi, ku përfshihej grumbullimi i të dhënave nga KLD, përmes procesverbaleve të mbledhjeve dhe vendimeve të marra nga ky Këshill, që nga periudha kur kanë filluar të ushtrojnë detyrën anëtarët Çefa dhe Lelçaj. Puna hetimore e komisionit gjithashtu, do të shtrihet dhe në emërimet nga KLD-ja të gjyqtarëve në gjykatat administrative, mosemërimi i 28 kryetarë gjykatash në kundërshtim me ligjin, etj. Në këtë mbledhje, me propozim të deputetit të LSI-së, Spartak Braho, komisioni vendosi që pjesë e planit të hetimit të bëhen dhe lidhjet familjare të anëtarëve të KLD-së dhe pasuria e anëtarëve Elvis Çefa dhe Lulzim Lelçaj. Në përmbushje të objektit të hetimit komisioni do të kërkojë dhe korrespondencën mes KLD-së dhe ministrisë së Drejtësisë. Komisioni hetimor për shkarkimin e dy anëtarëve të KLD-së, Elvis Çefa dhe Lulzim Lelçaj u ngrit një javë më parë nga Kuvendi, me kërkesë të maxhorancës, pas akuzave ndaj tyre për shkelje të rënda të ligjit gjatë ushtrimit te detyrës në këtë institucion të rëndësishëm.
Ekskluzive/ Sa viza aprovoi dhe refuzoi Anglia për shqiptarët janar-shtator 2023
Për të njëjtën periudhë kohore për viza familjare aplikuan 1,365 shtetas shqiptarë. Në të gjitha deklarimet publike, kryeministri Anglisë Rishi...















