Më 2005, i ndaluar për herë të parë, Zyba nuk do që ta kujtojë herën e fundit kur është arrestuar, pasi që, sipas tij, hera e fundit ende nuk ka mbërritur.
“Për herë të parë në 2005-ën, në njërin prej aktiviteteve të “Vetëvendosjes”, e fundit nuk besoj që është ende e fundit. Kemi kohë për t’u arrestuar prapë, për të bërë aktivitete prapë, për të kontribuar prapë”, shprehet Zyba.
E si i lënduar disa herë , ai thotë se pasojat afatgjate sa u përket lëndimeve kanë qenë të dukshme. Siç tregon Zyba, prejse e kishte lënduar boshtin kurrizor, edhe sot e kësaj dite ndihet efekti i këtij lëndimi. Porse, me bindje të thellë, ai thotë se do të vazhdojë tutje. Nuk do të ndalet.
“Po, një lëndim personalisht ka qenë në boshtin kurrizor, që ndoshta edhe sot pason kjo si vuajtje, por nuk e konsideroj se më ndal në aktivitet”, shton ai.
Përkundër asaj se ai përjetoi momente jo të lehta, arrestime, përjetime në burgje e lëndime, nuk ndihet i penduar për as edhe një veprim që e çoi shumë herë drejt prangave. Përkundrazi, ai thotë se me veprimet e tija ka kontribuar për vendin e tij.






















