Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se Gjykata Kushtetuese nuk mund ta mohojë të drejtën e shumicës në Kuvend për ta propozuar kryeparlamentarin.
“Njoftimi për media i Gjykatës Kushtetuese nuk e shpjegon vendimin në tërësi dhe është i pakomentueshëm prej meje. Ajo çka mund të them është se Gjykata Kushtetuese nuk ka mundur t’i ikë ose ta mohojë të drejtën e shumicës politike, në këtë rast LDK-AAK-NISMA dhe partnerëve për kandidaturën e kryetarit të Parlamentit. Ne presim të na njihet e drejta në kandidaturë sikurse në situatën për mandatarin e Qeverisë”, ka thënë Haradinaj në një prononcim për Express.
I pyetur nëse vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese do të jetë në favor të koalicionit LDK-AAK-Nisma, Haradinaj ka thënë se koalicioni pasgjedhor konsideron se “është e pamundshme t’i mohohet opozitës, tash shumicë politike LDK-AAK-NISMA dhe partnerëve, e drejta në kandidim”.
“Ne presim që këtë kandidim ta zbatojmë në seancën e ardhshme. Na vjen keq që duhet të përsëritet votimi dhe të gjitha ato aspekte të cilat janë kaluar. Mirëpo, rezultati do të jetë i njëjtë, kryetari Mustafa do të jetë kryetar i Parlamentit”, ka thënë Haradinaj.














