Lideri i AAK-së Ramush Haradinaj e ka kujtuar sot vendimin e dytë të Tribunalit të Hagës ku vendosi për lirimin e tij dhe ish bashkëluftëtarëve të tij. Ai thotë se ky proces gjykimi ishte i vështirë për të dhe familjen e tij.
Haradinaj ka shkruar më tutje se dy vite më parë u dëshmua se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë vetëm luftë të drejtë për liri dhe nuk ka kryer krime.
Ja postimi i plotë:
Të nderuar qytetarë të vendit,
Sot u bënë dy vjet që nga vendimi i dytë i Tribunalit të Hagës për lirimin nga të gjitha pikat e akuzave që ishin ngritur kundër meje dhe ish-bashkëluftëtarëve në procesin e rigjykimit.
Më duhet ta pranojë se procesi i stërzgjatur i gjykimit dhe rigjykimit në Tribunalin e Hagës ka qenë shumë i vështirë dhe i dhimbshëm për mua dhe familjen time.
Durimi dhe besimi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë vetëm luftë të drejtë për liri dhe nuk ka kryer krime për të cilat jemi akuzuar padrejtësisht por edhe mbështetja dhe besimi i plotë në drejtësinë ndërkombëtare sot dy vjet përfundimisht u shpërblye me vendimin e drejtë dhe të merituar: shpalljen të pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës.
Lufta jonë për liri dhe pavarësi ishte dhe do të mbetet e drejtë dhe e shenjtë.
















