Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, nëpërmjet një postimi në Facebook, u është përgjigjur kritikëve të idesë së tij që institucionet e Kosovës ta ngrisin një memorial për shqiptarët e vrarë në Betejën e Kosovës në vitin 1389.
Haradinaj ka thënë se ai kërkon vetëm një memorial ku do të kujtoheshin të gjithë shqiptarët që kanë rënë në Betejën e Ksoovës dhe nuk po kërkon rishkrimin e historisë.
“Mitet nuk mund t’i ndryshojnë faktet historike”, ka theksuar Haradinaj, duke shtuar se “historia shqiptare, është shumë më e vjetër se krejt historitë e Ballkanit”
Ky është postimi i plotë i Haradinajt:
“Pas propozimit tim të djeshëm që institucionet e Republikës së Kosovës ta ngrisin një memorial për shqiptarët e vrarë në Betejën e Kosovës, ka pasur disa reagime, sa emocionale aq diletanteske, prej asaj se unë i jam vënë në mbështetje “Car Llazarit” e deri te ajo se po provoj ta ndryshoj historinë e serbëve!
U përgjigjem të gjithë këtyre zërave, se unë nuk po merrem as me lavdinë e as me historinë e të tjerëve. Po kërkoj një lapidar ose memorial, ku do të kujtoheshin të gjithë ata shqiptarë, e që nuk janë pak, që ranë në Betejën e Kosovës, sepse edhe historia edhe lavdia u përket atyre, dhe mitet nuk mund t’i ndryshojnë faktet historike.
Sa u përket zërave se unë po provoj ta ndryshojë historinë serbe, i siguroj ata se historia shqiptare, është shumë më e vjetër se krejt historitë e Ballkanit! Kanë qenë vet historianët serbë që e kanë falsifikuar historinë e tyre, por kjo është punë e tyre dhe jo imja.
Historianët serbë e dijnë mirë se në Betejën e Kosovës kanë marrë pjesë ushtritë e princave shqiptarë dhe është mirë që për këtë t’i mësojnë edhe politikanët e padijshëm të tyre”.















