66-vjeçarja e aksidentuar për vdekje në Pistoia të Italisë një ditë parë është identifikuar si Lule Gjondrekai, shkruajnë sot mediat italiane.
Një 17-vjeçar që drejtonte motorin e tij tip “Aprilia 125” ka goditur 66-vjeçaren, e cila ka humbur jetën pak pas aksidentit, pavarësisht përpjekjeve për ta mbajtur në jetë nga ekipet e shpëtimit.
Aksidenti ka ndodhur rreth orës 16:00, në rrugën “Fiorentina”.
Ndërkohë, 17-vjeçari që drejtonte motorin është transportuar me urgjencë në spital, në gjendje shoku. Ai gjithashtu ka pësuar disa lëndime, por nuk raportohet se është në rrezik për jetën.
Viktima, e cila jetonte me bashkëshortin dhe familjen e vajzës në rrugën San Biagio, Pistoia, si zakonisht ishte duke shkuar drejt rrugës “Beçaria”, ku do të merrte mbesën nga kopështi.
Aksidenti ndodhi vetëm 3 metra larg vijave të bardha, ku është përcaktuar të kalojnë këmbësorët.
Aksidentet në këtë rrugë janë të shpeshta, raportojnë mediat italiane, shkruan Syri.net.
“Edhe vajza ime, thotë i biri i Lule Gjondrekai, u godit nga një makinë katër vite më parë, sapo kishte mbushur gjashtë vjeç. Për fat, makina nuk po ecte me shpejtësi dhe ajo nuk u lëndua”.



















