Shqipëria duket se do të ndjekë modelin gjerman për hapjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit, por gjithsesi debati vazhdon të mbetet i hapur.
Ministri i Mirëqënies Sociale Erion Veliaj ka mbajtur sot një takim për këtë temë, në të cilin ishte i ftuar edhe Ambasadori gjerman Helmut Hoffman. Veliaj tha se e kaluara nuk mund të harrohet, kurse Hoffman theksoi në fjalën e tij se procesi i hapjes së dosjeve është i vështirë, është i hidhur, por është i rëndësishëm dhe me përfitime të jashtëzakonshme.
Ambasadori shprehu keqardhjen e tij për interpretimin që iu bë hapjes së “Bunk’Art“-it në Tiranë, ish-tunelit të nëndheshëm të dikaturës, që u konsiderua nga disa politikanë si rehabilitim i diktatorit, kur në fakt, sipas Hoffmanj, është e kundërta dhe fjalimi i Kryeministrit shqiptar në hapjen e asaj ekspozite, ishte mjaft mbresëlënës.
“Ne duhet të përballemi me të shkuarën në mënyrë të ndershme,- tha Hoffman, në fjalën e tij. – Kjo është një përvojë pozitive, e hidhur, por me përfitime të jashtëzakonshme. Së pari, është debati publik që nis; po të shikoni gazetat gjermane për hapjen e dosjeve, ka artikuj të të gjitha llojeve, që shërbejnë për të ndriçuar njerëzit për atë që ka ndodhur në të shkuarën dhe kjo ka të bëjë me njohjen e viktimave.
Ju keni një ligj që thotë saktësisht se kush ka të drejtë të hapë dosjet, që në fakt nuk janë hapur. Kurse ne, pas 1989-ës kemi pasur një debat shumë të madh për këtë me dosjet e STAS-it, me shkelësit që duhet të dilnin para drejtësisë.
Një debat i tillë ka nisur dhe në Brazil, edhe në Afrikën e Jugut për regjimin e Pinoçetit, ashtu si dhe në Shqipëri, ku unë edhe pse nuk di shumë, di se ka pasur përpjekje të mëparshme të pasuksshme për hapjen e dosjeve.
Kur isha në hapjen e Bunk’Art-it, dëgjova fjalimin e Kryeministrit Rama; ai ishte mjaft mbresëlënës. Hapja e tij u interpretua si rehabilitim i regjimit të Enver Hoxhës, por është ndryshe. Hapja e ekspozitës ishte mjaft pozitive. Ka qënë përvojë e hidhur të lexoja në disa gazeta që ambasadori gjerman ka thënë se “ky është proces i vështirë, mos u angazhoni,“ por jo. STAS-i pra, mund t’ju shërbejë si një lloj modeli, – përfundoi ambasadori gjerman, – por ne nuk jemi këtu për t’ju thënë sesi ta bëni, ne jemi për këshillim. Debati duhet të zhvillohet ndërmjetshqiptarëve.“
















