Haliti i cili ka qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në një prononcim për “Indeksonline”, ka theksuar se disa gjëra të përmendura nga Surroi kanë ndodhë me të vërtet mirëpo interpretimi i tyre nuk është i duhur.
“Ato janë mendimet e tija, shumë gjëra që i ka përmendur vërtet kanë ndodhë por interpretimi lë vend për tu diskutuar. Gjitha këto çështje një ditë do të pasqyrohen, të vërtetat e UÇK-së, ngjarjet që kanë ndodhë brenda dhe jashtë saj”, ka thënë ai.
Sipas tij, nëse disa individë të cilët kanë qenë pjesë e UÇK-së kanë bërë gabime, kjo nuk do të thotë se të gjithë kanë qenë të tillë.
“Mund të them se akuzat që UÇK-ja ka qenë kriminale, në kuptimin e asaj që paska filluar luftën kundër Serbisë aq edhe kundër LDK-së nuk qëndron sepse nuk ka pas një orientim të tillë. Por gabimet mund të jenë bërë dhe në qoftëse janë bërë dy-tri gabime të individëve do të thosha të papërgjegjshëm kushdo qofshin ata, kjo nuk do të thotë se UÇK-ja ka qenë e tillë”, ka përfunduar Haliti.






















