Një takim mes deputetit Petrit Vasili, kryetar i Grupit të Miqësisë Shqipëri-Serbi dhe delegacionit të Komisionit për Diasporën dhe Serbinë në Rajon, të Parlamentit të Serbisë, u zhvillua në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë.
Delegacioni serb përbëhej nga Dr. Janko Veselinoviç, kryetar, Aleksandër Çortiç dhe Milan Duriç, si dhe nga Ambasadori i Republikës së Serbisë në Shqipëri, Zariç.
Gjatë këtij takimi Veselinoviç falënderoi Vasilin për frymën e miqësisë mes dy delegacioneve, dhe theksoi se mendimi që kishte krijuar për respektmin e pakicave në Shqipëri ishte tepër paragjykues:
“Është e vërtetë që kishim shumë paragjykime për popullin shqiptar dhe për problemet që mund të kenë me pakicat serbe, por këto dy ditë u vërtetua krejtësisht e kundërta”, tha Veselinoviç.
Vasili theksoi pozitivitetin e këtij takimi dhe shprehu ndjeshmërinë e veçantë për pakicat kombëtare.
“Bashkëpunimi i grupeve të miqësisë së Kuvendit dhe Parlamentit serb ka shumë rëndësi për integrimin evropian, ekonominë, arsimin dhe të drejtat e njeriut. Ndaj ne duhet t’i intensifikojmë edhe më tej këto marrëdhënie duke i zhvendosur ato edhe në nivel ekzekutiv”, tha Veselinoviç.
Gjatë bashkëbisedimit, Vasili tha se të dy grupet mund të bëjnë më shumë, për vendosjen e një fryme bashkëpunimi mes dy popujve.
“Unë mendoj të fillojmë komunikimin më të shpeshtë, pasi diplomacia parlamentare është shumë e rëndësishme. Kjo vizitë e këtij Komisioni nga Parlamenti serb është tepër pozitive, që popujt e të dy vendeve të shikojnë që politikanët flasin e komunikojnë me njëri-tjetrin, pasi kështu vendoset edhe fryma e bashkëpunimit”, tha Vasili, i cili e vlerësoi vizitën, si një rrugë të re komunikimi.















