Nga Gian Enrico Rusconi
Me vdekjen e Gynter Grasit nuk u zhduk vetëm një shkrimtar i jashtëzakonshëm i kohës sonë, por edhe një analist i jashtëzakonshëm i historisë dhe shoqërisë gjermane. Një përkthyes ekstrem, dëshmitar dhe rrëfyes kontrovers i traumave të Gjermanisë, të kontradiktave dhe ngashërimeve. Ngjarje të jetuara nga vetë ai, në një moment delikat dhe vendimtar të jetës së tij, dhe ringjallur në romane me një fill urtësie.
Një stil letrar gjithmonë i prirur ndaj teprimeve, impulsiv, provokues, që ndërthuri së bashku dimensionin letrar, analizën politike dhe protestën civile. Është e pamundur t’i veçosh këto aspekte nga Gras. Por ai është shpesh jo i gatshëm në pretendimin e prerë që të jetë i drejtë për të patur të drejtë, thjesht për shkak të fuqisë shprehëse të gjuhës së tij. Përballë kësaj, formula “ndërgjegjja kritike e kombit” – që haset shpesh në gojën e admiruesve të tij – ka diçka pakësuese dhe shumë simbolike.
Vullnetar tek SS nazistë
Nën këtë dritë duhet lexuar edhe ngjarja e vitit 2006: rrëfimi se ka qenë një vullnetar i ri i SS-ve nazistë. Një episod, që sot kërcënon të përqendrojë të gjithë vëmendjen e publikut ndaj shkrimtarit. Ajo që shkaktoi skandal nuk ishte dhe aq përvoja e shkurtër në vetvete, por fshehja e saj për 60 vjet me radhë. Mbi të gjitha, shpjegimi çarmatosës që Gras dha në valën e polemikave të mëdha që pasuan: “Unë kam qenë në radhët e SS-ve, nuk kam qenë i përfshirë në ndonjë krim. Megjithatë, gjithnjë kam ndjerë nevojën për ta treguar këtë një ditë, në një kontekst më të gjerë”.
Çfarë do të thotë kjo ? Pse vetëm në vitin 2006 mbizotëroi “nevoja për të treguar”? Nuk është e drejtë që t’i atribuosh pranimit të vonuar të gabimit në rini, të mbajtur fshehur për shkak të turpit, një çelës të ri për të rilexuar të gjithë historinë njerëzore, letrare dhe politike të Gras.
Por kjo nuk është e drejtë, as ta banalizosh atë. Natyrisht, mund të bëhen vetëm hamendje. Unë mendoj se një hipotezë e besueshme është ajo e një radikalizimi politik të botës mbi të menduarit dhe gjykuarit Grasin, e shoqëruar nga një ndjeshmëri e re ndaj vuajtjeve të shkaktuara edhe ndaj gjermanëve në vitin 1945. Duke filluar nga politika. Është e ditur se shkrimtari në mesin e viteve ’60 zhvilloi një aktivitet të dendur politik në Partinë Socialdemokrate së bashku me Vili Brandin, duke e mbështetur këtë të fundit në momentet më të rëndësishme të veprimit të tij politik, madje sidomos në hapjen ndaj vendeve të socializmit real. Më pas angazhimi i drejtpërdrejtë politik u dobësua, por bindjet e tij pacifiste e çuan në pozitat e një kritiku të pakompromis të të gjitha formave të riarmatimit.
Kundër ribashkimit
Figura e tij u rikthye dukshëm në plan të parë në vitet 1989-1990, me qëndrimet e ashpra kundër mundësinë së ribashkimit të Gjermanisë. Në konsideratat e tij të një “të paatdheu” lexojmë: Kush reflekton sot mbi Gjermaninë, dhe kërkon përgjigje ndaj çështjes gjermane, duhet të ketë parasysh Aushvicin. Ai vend tmerri, i quajtur këtu si një shembull i një traume që mbetet, përjashton mundësinë e një shteti të ardhshëm gjerman të unifikuar. Nëse, siç është për të patur frikë, një shtet i tillë do detyrohej të funksiononte me dhunë, është i përcaktuar të dështojë”. Është e panevojshme të thuhet që kjo perspektivë katastrofike (e ndarë në një mënyrë tjetër nga Jurgen Habermas, të Gjelbrit dhe disa Socialdemokratë) shkoi në drejtim të kundërt me optimizmin e Vili Brandit. Vite më vonë, në një roman të gjatë historik (Është një histori e gjatë, 1995), Gras risjell në kujtesë një çështje private dhe kolektive, që arrin kulmin në një Gjermani kulturalisht dhe politikisht të lodhur, e kundërta e optimizmit në epokën e Kol. Sërish Gras shkon kundër rrymës, duke e polarizuar opinionin publik.
Përtej “turpit”
Por surpriza më e madhe është libri “Hapi i gaforres” i vitit 2002, sërish një roman historik sugjestionues, me një përbërës të fortë politik. Vepra rrëfen fundosjen e anijes “Vilhelm Gustlof”, nga një nëndetëse sovjetike (30 janar 1945), e mbushur me gra dhe fëmijë refugjatë, përveç ushtarakëve, duke ikur nga territoret që po pushtoheshin nga Ushtria e Kuqe. U bë simbol i vuajtjeve gjermane.
Është çlirimi i kujtesës së gjermanëve, që nuk fshin një tjetër ndjesi të errët faji, e lidhur me vetëdijen, e fituar në mënyrë kritike ndoshta vetëm më vonë – e vuajtjes së shkaktuar më parë nga gjermanët ndaj popujve të tjerë (rusët, polakët, hebrenjtë). Por qarku i shkurtër mes kujtimeve spontane dhe ushtrimeve të refleksionit (si ai i Gras), është i vështirë për t’u menaxhuar.
Ndoshta pika e vetme e fituar është se kujtesa e vuajtjeve të përjetuara në Lindje, ashtu si në Perëndim, edhe pse të jetuara dhe përpunuara në një mënyrë të ndryshme, funksionon si një faktor unifikues përtej kufijve dhe dallimeve politike. Është arbitrare të mendohet se ishte “konteksti më i gjerë”, që i mundësoi çlirimin nga “turpi”, i mbajtur i fshehur për 60 vjet nga Gynter Gras?
*La Repubblica.


















