Një front krize të brendshme në BE mbi çështjen greke do t’i ndante europianët pikërisht tani që ata kanë nevojë të shfaqen të bashkuar përballë Moskës
Nga Danilo Taino
Askush nuk dëshiron që Greqia të dalë nga euro. Përtej pasojave të mundshme ekonomike dhe financiare të një ngjarjeje të tillë, do të ishin të rënda edhe pasojat politike.
Do të lëkundej i gjithë projekti europian: kjo nuk do të ishte domosdoshmërisht diçka e keqe, sepse BE-ja ka nevojë që ta rishikojë veten; por një gjë e tillë do të ndodhte mbi valën e një “përjashtimi” që do të provokonte zemërata kombëtare dhe politike në të gjithë kontinentin, çka do të niste një konflikt me rezultate të paparashikueshme.
Për më tepër, është edhe situata politike ndërkombëtare. Angela Merkel, e cila dy ditë më parë iu foli japonezëve në Tokio në cilësinë e presidentes së radhës së G7-s se si i ka bërë llogaritë Gjermania me të kaluarën naziste – mendon se sot sfida më e madhe për Europën është ajo që po çon përpara Rusia e Putinit në Ukrainë.
Një front krize të brendshme në gjirin e BE-së lidhur me çështjen greke do të bënte që europianët të ndaheshin pikërisht në momentin kur kanë nevojë që të shfaqen të bashkuar përballë Moskës.
Dhe më pas është fakti se grekët nuk meritojnë të paguajnë në mënyrë të mëtejshme papërgjegjshmërinë e klasës së tyre drejtuese, e cila, pas asistencializmit, ka ngritur një shtet të përçarë, klientelist dhe të korruptuar. Qeveria e re, e udhëhequr nga Tsipras, është legjitimuar nga zgjedhjet të ndërmarrë reforma radikale në Greqi. Por ama nuk mund të bëjë dy gjëra.
Njëra është shtyrja e vazhdueshme e këtyre reformave: edhe dy ditë më parë ministrat e Financave të Eurogrupit nënvizuan se propozimet e Athinës janë të pamjaftueshme për një projekt të pranueshëm, janë të përgjithshme dhe pak të detajuara.
Për shembull, ato nuk sqarojnë se çfarë ka ndërmend të bëjë qeveria helene për sa i takon tregut të punës dhe privatizimeve, aspekte që konsiderohen jetike për ta risjellë Greqinë në një rrugë jo vetëm rritjeje por edhe rindërtimi.
Gjëja tjetër që nuk mund të bëjë Athina është të pretendojë që 18 anëtarët e tjerë të Eurozonës të ndryshojnë politikë nëse nuk duan: ata thjesht nuk do ta bëjnë një gjë të tillë. Koha nuk premton dhe duhet kaluar urgjentisht në fazën e veprimeve serioze. Përndryshe, alternativa ndaj kësaj është tepër e keqe.
Corriere della Sera
















