Një bari në Larisa gjen trupin e djegur. Ishte zhdukur të premten
Kur kishte 24 orë që ishte zhdukur, 21-vjeçari nga Shqipëria u gjet pa jetë në një mal në Greqi. Të dhënat për këtë ngjarje janë të vakëta, pasi policia greke nuk ka publikuar as identitetin e shqiptarit dhe as detaje rreth vrasjes, përpos disa informacioneve ndihmuese për hetimet. E sigurt është fakti që shqiptari është qëlluar në kokë me një armë zjarri dhe më pas trupi i tij është djegur pjesërisht, pasi autori apo autorët kanë pasur ndërmend të humbitnin gjurmët. Ngjarja e rëndë është shënuar në zonën e Larisës, vend në të cilin banon një numër i madh shqiptarësh. Ndërkaq, në këto zona, janë shënuar disa vrasje të shqiptarëve, ku disa prej tyre kanë qenë barinj apo punëtorë të ndryshëm, ndërsa vrasjet janë kryer për t’u marrë paratë.
Vrasja pas zhdukjes
Referuar të dhënave që policia greke ka bërë të ditura për mediat e vendit fqinj, 21-vjeçari ishte viktimë e një vrasjeje mizore. Shqiptari 21-vjeçar ishte shpallur i humbur dhe është gjetur i vdekur në afërsi të vendit të quajtur “Shën Anargyroi” në Larisa, pothuajse 24 orë pas zhdukjes së tij. Sipas gjetjeve paraprake të autoriteteve të Mjekësisë Ligjore, autori i ka gjuajtur një herë me plumb në kokë dhe më pas është djegur, në mënyrë që të fshihen gjurmët. Nga ekspertiza e mjekut ligjor, pritet të hidhet më shumë dritë mbi rastin e vrasjes së 21-vjeçarit. Ai që ka lajmëruar policinë ishte një bari i zonës, i cili ishte i pari që gjeti trupin e pajetë të shqiptarit.
Hetimet
Policia kishte nisur kërkimet për 21-vjeçarin, i cili ishte zhdukur të premten nga rajoni Sotiritsa, ku ai ka jetuar me familjen e tij. Ishin pikërisht familjarët ata që bënë denoncimin për humbjen e tij dhe njoftuan policinë për frikën që kishin rreth humbjes së jetës së 21-vjeçarit. Ndonëse nuk publikojnë të dhëna rreth identitetit të shqiptarit, policia vendase ka intensifikuar hetimet për të përcaktuar rrethanat e vrasjes, si dhe shkakun. Për këtë arsye, familjarët kanë dhënë detaje rreth punës së 21-vjeçarit, datave të pagesave dhe rrethit shoqëror që ai frekuentonte. Nga këqyrjet e para në vendin e ngjarjes, rezulton se vrasësi e ka qëlluar në kokë nga një distancë e afërt, çka nënkupton për hetuesit që të dy mund të kenë qenë bashkë në shoqërinë e njëri-tjetrit, por nuk përjashtohet mundësia e ndonjë personi tjetër, pasi trupit i është vënë zjarri. Sigurimi i mjeteve për të djegur trupin, sipas hetuesve, nuk është momental, ndaj vrasja rezulton e mirëpërgatitur, ku viktima ka rënë në kurthin e vrasësve. Bariu, që kishte lajmëruar policinë, është shoqëruar për të dhënë dëshminë e tij, por policia nuk ka ndonjë person të dyshuar. Në vendin e ngjarjes janë kryer veprimet e para hetimore, ku hetuesit po përqendrohen në mbledhjen e provave apo dëshmive, por për shkak të terrenit malor, duket se njerëzit atje kanë qenë të paktë. Ndërkaq, nuk ka të dhëna nëse trupi mund të jetë lëvizur apo jo pas vrasjes.
Horrori me barinjtë
Nëntorin e vitit të kaluar, një 26-vjeçar nga Lezha, i cili ndodhet në burgjet greke për vrasjen e bariut 52-vjeçar nga Librazhdi, për t’i marrë rrogën prej 600 eurosh, rrëfeu vrasjen e një shqiptari tjetër, trupi i të cilit u gjet në Kozan të Greqisë. Mikel Trashi, 26 vjeç, nga Kodër Lezha, ishte arrestuar qershorin e vitit 2013, pasi bashkë me një shqiptar tjetër 51 vjeç, të dy barinj, kishin masakruar bariun nga Librazhdi, Hamit Balla, baba i pesë fëmijëve, vetëm për t’i marrë 600 eurot e pagës mujore. Mediat greke raportuan se teksa ndodhej prapa hekurave, Trashi nuk e ka mbajtur dot peshën e fajit, për një vrasje të dytë, të cilën e kishte kryer me bashkëpunëtorin e tij shqiptar. Kështu, ai u ka treguar policëve të burgjeve dhe më pas policisë lokale të Kozanit të kërkonin në afërsi të një ferme në zonën Askio Voio. Me të shkuar atje, grupi hetimor gjeti trupin e pajetë të një të riu, ende të paidentifikuar, por që të gjitha dyshimet janë se edhe ai ishte një bari shqiptar. Ekspertët kanë përcaktuar paraprakisht se mosha e tij varionte nga 25 deri në 40 vjeç dhe ishte vrarë prej të paktën një muaji, pikërisht koha kur ai ishte deklaruar i zhdukur. Nga rrëfimet e 26-vjeçarit, ishte mësuar se bashkëpunëtori i tij 51 vjeç e kishte goditur me një sfurk në kokë. Pasi e vranë, ata e varrosën pranë fermës, por më parë i morën 400 euro që kishte në xhep.















