Kryeministri Mustafa ka uruar gratë me rastin e 8 Marsit. Tha se ‘Nëna e gra, Kosova ua dedikon juve ekzistencën’. Mirëpo, për ironi, përkundër përmirësimeve të bëra gratë vazhdojnë të jenë të nën-përfaqësuara në proceset e vendimmarrjes në të gjitha nivelet.
Në dhjetorë të vitit 2016, Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar raportin për “Gratë dhe Burrat në Kosovë”, për vitet 2014/2015. Ky raport tregon se në vitin 2015, në nivelet e larta drejtuese në ministri kanë qenë 4 gra e 72 burra, ndërsa vetëm në nivele drejtuese kanë qenë 376 gra e 1005 burra.
Statistikat tregtojnë se, gratë kanë në pronësi 13 për qind të bizneseve. Ndërsa, gratë kryefamiljare në vitin 2015 kanë pasur përbërje prej 12 për qind, çka reflekton rritje prej 4 për qind krahasuar me vitin 2014. Në vitin 2015, gratë kishin në pronësi shtëpinë – banesën vetëm 5 për qind.
Ndërkaq, koeficienti i maskulinitetit është 110.1 meshkuj për 100 femra – më i lartë se raporti i përgjithshëm i raportit gjinor të popullsisë. Shkalla e papunësisë në total për vitin 2014 ishte 35.3 për qind përderisa në vitin 2015 ishte 32.9 për qind. Shkalla e papunësisë për gratë për vitin 2014 ishte 41.6 për qind kundrejt 33. 1për qind të burrave përderisa në vitin 2015 për gratë ishte 36.6 për qind kundrejt 31.8 për qind të burrave.
68 për qind e grave nuk e dinë ndonjë gjuhë tjetër, përveç shqipes. Burimet e të hyrave individuale në Kosovë për vitin 2015, sipas Anketës së Buxhetit të Ekonomive Familjare për gratë ishin të hyrat nga rrogat, pensionet si dhe paratë e gatshme dërguar nga jashtë- familjarët. Sipas rezultateve të dala nga Regjistrimi i bujqësisë në Kosovë në vitin 2014, vetëm 4.9 për qind femra ishin bartëse të pronësisë së tokës bujqësore.
Statistika diskriminuese vërehen edhe në pozitat vendimmarrëse në Komuna. Rrallë ka ndonjë komunë që ka më shumë se dy gra në pozitën Drejtor komunal, derisa Komunat kanë në përbërje me rreth dymbëdhjetë drejtori. Psh, Komuna e Dragashit, sipas ueb-faqes së saj nuk e ka asnjë drejtor grua. Po ashtu drejtor grua nuk ka as Lipjani, Shterpca. Gjilani ka dhjetë drejtor burra e një grua, Istogu ka nëntë drejtor burra e një grua, Mitrovica me një grua e dymbëdhjetë burra, Prishtina me njëmbëdhjetë burra e dy gra, etj.
Në vijim mund të shihni disa statistika që shpërfaqin dallimin në mes grave dhe burrave në Kosovë.































