41-vjeçari shqiptar, i cili u arrestua disa ditë më parë në portin e Ankonas, Itali, pasi kishte grabitur pronarin e një restoranti në Leçe, është Edmond Como, shkruajnë sot mediat lokale.
Shqiptari ishte liruar nga burgu i Voghera-s në muajin prill, ku kishte shlyer dënimin prej 16 vite burg për trafik ndërkombëtar kokaine dhe përfshirjen në një shkëmbim zjarri në vitet ’90.
I pa pajisur me dokumente italiane, ai qëndroi për një muaj në një qendër pritjeje për emigrantët në Torino pas daljes nga burgu, e më pas grabiti italianin dhe vendosi të kthehej në Shqipëri.
Pronari i restorantit bëri denoncimin, që çoi edhe në arrestimin e 41-vjeçarit, para se ai të arrinte tokën shqiptare.
Në bordin e një “Fiat Panda”, Como tentoi të arratisej pasi vuri re prezencën e forcave të shumta policore, por u neutralizua.
41-vjeçari është në pritje të një dënimi me 13 vite burgim nga një gjykatë në Reggio Calabria, për krime të kryera me porosi të organizatës famëkeqë mafioze “Ndrangheta”.
















