Në seancën gjyqësore të radhës të rastit “Grupi i Kumanivës” ka dëshmuar vetëm njëri prej katër dëshmitarëve të mbrojtur, të cilët ishte planifikuar të paraqiteshin sot (e mërkurë).
Sipas avokatit Ibrahim Bajrami, seanca është ndërprerë për shkaqe teknike që pamundësuan paraqitjen e tre dëshmitarëve të tjerë.
“Për shkaqe teknike, pas pauzës, seanca nuk vazhdoi dhe seanca e radhës u caktua për datën 7 prill. Për seancën e sotme ishte paraparë të paraqiteshin edhe tre dëshmitarë të tjerë, por, për shkaqe teknike, tre të tjerët do të paraqeshin dëshmitë më datë 7 prill”, ka deklaruar Bajrami.
Deri më tash, në procesin gjyqësor të rastit “Kumanova” kanë dëshmuar 5 dëshmitarë të mbrojtur, ndërsa më herët kanë dëshmuar disa banorë të Lagjes së Trimave.
Prokuroria i ka ftuar rreth 20 dëshmitarë të mbrojtur, pjesëtarë të njësive të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë, të cilët kanë marrë pjesë në aksionin e policisë në Lagjen e Trimave në Kumanovë.
Në mesin e këtyre dëshmitarëve ka edhe policë, të cilët ishin plagosur gjatë aksionit në Kumanovë.
Të njëjtit dëshmitarë të mbrojtur mund të thirren për të dëdshmuar edhe nga pala mbrojtëse.
















