JAKUP KRASNIQI
Nuk ka dyshim se qeveria aktuale e Kosovës ka bërë gabime të shumta në skenën e brendshme politike, po aq sa edhe në atë të jashtme. Po ashtu, nuk ka asnjë dyshim se zyrtarët udhëheqës në Prishtinë janë përkujdesur deri më tash vetëm për interesat e tyre personale dhe i kanë harruar krejtësisht interesat e qytetarëve tanë. Një ndër gabimet më të mëdha së fundi është edhe miratimi në mënyrë të verbër i Gjykatës Speciale të Krimeve të Luftës në Hagë, që ekskluzivisht do të merret vetëm me pretendimet për krime lufte të shqiptarëve duke injoruar krejtësisht gjenocidin e ndërmarrjes kriminale të Serbisë gjatë luftës së Kosovës për pavarësi në vitet 1998-‘99.
Shumica qeverisëse në Kosovë dhe liderët aktualë të Kosovës janë përkujdesur për fatet e tyre personale duke shpresuar se do të falen nga gjykata përmes, siç shumëkush në Kosovë beson marrëveshjeve të heshtura me perëndimorët për pozita të reja në shkëmbim të pranimit të krijimit të gjykatës. Me gjasë, jo vetëm të gjykatës, por edhe të marrëveshjeve të dëmshme të viteve 2013 e 2015 me Serbinë, përfshirë edhe Demarkacionin me Malin e Zi.
Gjykata Speciale nuk po formohet për t’u marrë me të gjitha krimet e bëra në Kosovë. Ajo po krijohet për t’u marrë vetëm me pretendimet për krimet e kryera vetëm të njërës palë, asaj të UÇK-së. Kjo është thjesht një drejtësi selektive dhe krejtësisht e turpshme. Krimet nuk kanë etni, as komb, as racë e as fe. Krimi është krim ose nuk është fare.
Kjo gjykatë speciale po formohet për të ndriçuar pretendimet e raportit të politikanit zviceran Dick Marty, të adoptuar në Rezolutë nga Këshilli i Europës. Besoj se këto pretendime janë krejtësisht fabrikim i Serbisë. Këto akuza janë të tmerrshme, por në të vërtetë janë të pabaza. Në të njëjtën kohë, ushtria dhe policia e paramilitarët e një shteti që ka bërë krime lufte dhe gjenocid në Kosovë janë falur dhe lënë anash. Serbia është falur për krimet e tmerrshme që ajo i ka kryer në Kosovë dhe rajon. Kjo është e papranueshme për shoqërinë shqiptare të Kosovës, e cila është injoruar krejtësisht nga drejtësia për të cilën na flasin perëndimorët.
Ushtria e Serbisë dhe policia e saj në vitet 1998-’99 ka masakruar mbi 13 mijë e 500 qytetarë civilë të të gjitha moshave (fëmijë, gra, vajza, të rinj, burra e pleq). Forcat serbe kanë dhunuar mbi 20 mijë gra e vajza shqiptare në Kosovë. Shumë prej këtyre viktimave janë hedhur në puse (bunarë). Lista e krimeve të luftës që ka bërë Serbia është shumë e gjatë. 500 varreza masive, qindra fshatra e qytete të djegura e të shkatërruara për tokë, plaçkitje masive e deri tek depërtimi e dëbimi i afro 1 milion civilëve shqiptarë në vendet fqinje (Maqedoni e Shqipëri). Lista e krimeve serbe dhe dëmeve të luftës nga Serbia në Kosovë është vërtet shumë e gjatë dhe e rëndë. Pse ndërkombëtarët heshtin për këto fakte?
Qëllimi i ndërmarrjes kriminale serbe ishte ta zbrazë Kosovën nga shqiptarët, të shkatërrojë e fshijë gjithçka shqiptare në Kosovë. Por falë NATO-s dhe UÇK-së lufta e tmerrshme u ndal, e forcat serbe u dëbuan nga Kosova.
Por afro 17 vite më pas, ata janë harruar nga drejtësia ndërkombëtare. Kriminelët e Serbisë janë të lirë. Serbia shpëtoi nga gjenocidi i pandëshkuar, duke iu falënderuar qëllimit dhe qasjes të ashtuquajtur “stabiliteti ballkanik” nga perëndimorët dhe kërkimit nga ana e BE-së të liderëve “të moderuar” dhe “pro-perëndimorë” në Serbi. Të njëjtit anëtarë të regjimit të dikurshëm të Millosheviçit sot pretendojnë në njëfarë “drejtësie” përmes gjykatave të tyre në Serbi. Por hipokrizia është edhe më e madhe, sepse në radhët e këtij koalicioni qeverisës në Serbi ndodhen edhe gjeneralë e të tjerë anëtarë të regjimit të Millosheviçit, përgjegjës për gjenocidin në Kosovë. Disa prej tyre janë në listën e Interpolit, të kërkuar nga misioni i BE-së (EULEX) për më shumë se një vit tashmë. Qeveria e Serbisë po refuzon t’ua dërgojë gjykatave të Kosovës, përkatësisht tek gjykatësit e EULEX.
Ndërkohë, Gjykata Speciale e kërkuar nga BE dhe SHBA ndaj Kosovës do të hapet. Por kjo gjykatë është selektive dhe drejtohet vetëm ndaj njërës palë. Hipokrizia ndërkombëtare pra po vazhdon duke ia mbajtur anën Serbisë për çështje gjeostrategjike. Drejtësi për të gjithë, është ajo për çfarë ka nevojë Kosova dhe rajoni. Drejtësi për të gjithë është ajo çka nevojë stabiliteti në rajon. Askush nuk duhet që të lirohet nga krime të luftës. Kush do ta dërgojë para drejtësisë regjimin gjenocidial të Serbisë për çfarë ka bërë në Kosovë? Cila është arsyeja që kjo Gjykatë e re Speciale nuk po merret më këto krime? Qeveria jonë e ka injoruar këtë, sepse disa prej politikanëve dhe disa liderë janë pjesë e listës së Marty-t. Por as BE e as SHBA nuk mund t’u predikojnë drejtësi, as ligj e rend qytetarëve të Kosovës, të cilët e kanë humbur besimin ndaj kësaj qeverie dhe anëtarëve të saj, por edhe në drejtësinë ndërkombëtare. Kjo gjykatë duhet të merret edhe me krimet që i ka bërë Serbia.
Kryetarja në largim e Kosovës e ka miratuar pak më herët marrëveshjen midis qeverisë së Kosovës dhe Holandës për gjykatën, duke e anashkaluar Parlamentin. Kjo është antikushtetuese. Edhe kjo marrëveshje mes dy shteteve duhet të dërgohet në Kuvend për ratifikim. BE dhe SHBA nuk duhet të krijojnë pengesa. Ato duhet t’i përkrahin këto ndryshime hapur dhe të lejojnë gjykatën të merret edhe me krimet e Serbisë. EULEX-it ka punë për të bërë mjaft për këtë gjykatë të re në Hagë. Në këtë mënyrë, edhe besimi ndaj EULEX-it ndoshta mund të kthehet, sepse ai në Kosovë është humbur krejtësisht.
Ka ende kohë që qeveria e Kosovës, BE dhe SHBA të përmirësojnë gabimin trashanik të bërë me formën e tashme të Gjykatës Speciale. Krimet e Serbisë duhet që të përfshihen në pakon e ligjeve të miratuara vitin e kaluar dhe kriminelët e Serbisë duhet të dërgohen para drejtësisë në Gjykatën Speciale në Hagë për Kosovën. Përndryshe, forma e tashme e gjykatës e bën këtë gjykatë krejtësisht diskriminuese dhe raciste. Ajo duhet të ndryshohet dhe të sjellë drejtësi për të gjithë.
Drejtësi për të gjithë, amnisti për asnjë!
















