Opsioni më i mirë për të sqaruar se kush ka drejtë të krijojë qeverinë, është që presidentja e vendit t`i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.
Thënie e kundërthënie të shumta janë përfolur gjatë këtyre ditëve se kush ka drejtë të formojë qeverinë e re. PDK e cila ka dalë fituese në zgjedhjet e 8 qershorit, apo koalicioni pas zgjedhor që është arritur mes LDK-së AAK-së dhe NISMA-s, e që është mbështetur edhe nga lëvizja Vetëvendosje.
Njohësit e çështjeve politike mendojnë se nëse presidentja do të bënte shkelje eventuale në mandatimin e një subjekti apo koalicione për formimin e qeverisë, atëherë Kosova do të hynte në një krizë të thellë institucionale.
Albert Krasniqi mendon se çështja duhet të dërgohet në Gjykatës Kushtetuese, meqë sipas tij, Kushtetuta është e paqartë në këtë opsion dhe len hapësirë për interpretim të dyanshëm.
Ai tha se për të dalë nga kjo situatë, presidentja Atifete Jahjaga do të duhej që t`i drejtohej kushtetueses, në mënyrë që ajo ta jap verdiktin e saj dhe vendi të hyjë në një krizë të thellë institucionale.
“Më e mira do të ishte që presidentja t`i drejtohet Gjykatës Kushtetuese dhe ajo të jep verdiktin e saj final. Pra, edhe në këtë rast të veproj ngjashëm sikurse ka vepruar në mandatin e saj kur i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese. Përndryshe do të hynim në një krizë të thellë institucionale nëse do të konstatohej që edhe presidentja do të bënte shkelje kushtetuese duke mandatuar ndonjërën prej forcave të cilat nuk parashihen me kushtetutë”, theksoi ai.
Krasniqi thotë se në këtë rast opsioni më i pranueshëm është ai i Gjykatës Kushtetuese meqë ajo i ka resurset dhe është kompetente për interpretim të kushtetutës.
Ndryshe, përderisa përfaqësues të Partisë Demokratike të Kosovës theksojnë se atyre u takon ta formojnë qeverinë e re, pretendenti për kryeministër, i dalë nga koalicioni opozitar pas zgjedhor, Ramush Haradinaj, vazhdon konsultat rreth formimit të qeverisë që do të udhëhiqej nga ai dhe printerët e koalicionit.













