Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit znj. Eglantina Gjermeni, zhvilloi sot një takim me Presidenten e Federatës Botërore të Shoqatave të Guidave Turistike (WFTGA) znj. Felicitas Wressing.
Gjatë takimit Ministrja Gjermeni i ofroi znj. Wressing një panoramë të reformave të ndërmarra nga Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit veçanërisht në lidhje me vendosjen e standardeve në të gjitha shërbimet që ofrohen në sektorin e turizmit. “Unë i konsideroj udhërrëfyesit turistikë – u shpreh Gjermeni – si ambasadorët më të mirë të vlerave kulturore dhe historike të vendit”.
Në pranverën e këtij viti ne certifikuam grupin e parë të udhërrëfyesve turistikë kombëtarë dhe lokalë, të cilët ndoqën një trajnim 3- mujor falë një bashkëpunimi me profesorë të nderuar. Ne mbetemi maksimalisht të angazhuar për të vendosur kritere të qarta dhe standarde ndërkombëtare për të gjithë personat që kanë dëshirë të ushtrojnë profesionin e udhërrëfyesit turistik, ndaj dhe në ligjin e ri “Për Turizmin”, certifikimi i udhërrëfyesve turstikë zë një pjesë të rëndësishme.
Gjatë takimit u diskutua dhe për plane konkrete mbi bashkëpunimin në të ardhmen ndërmjet Shqipërisë dhe WFTGA. Presidentja e Federatës Botërore të Shoqatave të Guidave znj. Wressing, e informoi Ministren mbi organizimin e një trajnimi shtatëditor në Shqipëri në 2015. Ky trajnim do të organizohet në bashkëpunim me shoqatën Kombëtare të Guidave Turistike dhe do të shërbejë si
një model i mirë për rritjen e profesionalizmit, etikës në udhërrëfim, dhe mbi të gjitha të komunikimit me vizitorët e huaj dhe vendas.
Ministrja Gjermeni e falënderoi znj. Wressing dhe i shprehu angazhimin e saj në rritjen e bashkëpunimit me WFTGA në të ardhmen edhe në kuadër të Programit të Organizatës Botërore të Turizmit “Rruga e Mëndafshtë”.
Znj. Wressing ndodhet në Shqipëri në kuadër të Konferencës I Kombëtare të Udhërrëfyesve Turstikë, që do të zhvillohet nesër në Hotel Tirana. Kjo konferencë organizohet me mbështetjen e Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit dhe Shoqatës Kombëtare të Guidave Turistike në Shqipëri.
















