Aplikimet për azil të kosovarëve po rriten hovshëm. Si pasojë e kësaj, Bavaria zyrtar do të nisë një iniciativë ku do të kërkojnë nga politikanët ta klasifikojnë Kosovën si një vend të sigurt.
Numri i kosovarëve që kërkojnë të “aterojnë” në Gjermani ka qenë në rritje për muaj të tërë. Autoritetet gjithashtu regjistrojnë një rritje të kërkesave për azil nga Kosova dhe Shqipëria. Vetëm në janar të këtij viti 3,630 persona nga Kosova kanë aplikuar për azil në Gjermani. Ndërkaq, në janar 2014 kanë qenë 555 azilkërkues.
1,648 azilkërkues në janar kanë qenë nga Shqipëria. Gjithashtu, ka pasur në mënyrë të konsiderueshme më pak azilkërkues një vit më parë.
Prandaj landi i Bavarisë planifikon një iniciativë federale për të klasifikuar Kosovën dhe Shqipërinë si vende të sigurta të origjinës, të tilla si Serbia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Maqedonia. Për këtë, Bavaria zyrtare shpreson se kjo do të ketë efekt parandalues tek qytetarët.
“Çdo ditë rreth 1,000 kosovarë, kryesisht nëpërmjet autobusëve dhe kombi-busëve, lënë vendin e tyre dhe përms Serbisë, Hungarisë e Austrisë arrijnë në Gjermani”, thotë ministri i brendshëm bavarez, Joachim Herrmann.
Gjithashtu, shefi ekzekutiv i Shoqatës gjermane të qyteteve dhe komunave, Gerd Landsberg konstaton se Qeveria Federale duhet të konsiderojë nëse Kosova do të mund të klasifikohej si një “vend i sigurt i origjinës”.
“Kjo me siguri do të zvogëlojë fluksin,” tha ai, shkruan gazeta taz.de.















