Gjermani kërkon specialistë brenda BE-së dhe jashtë saj. Ndër rajonet e preferuara është Ballkani Perëndimor, Afrika e Veriut dhe vende si Meksika. Nevojë ka për inxhinierë, por edhe ekspertë kompjuterash, sqaron Carsten Klein, drejtor i ZAV-it. Po ashtu ka nevojë për infermirë dhe profesione të tjera mjekësore, por edhe për profesione që kërkohen në zona të caktuara si speditor apo shofer kamionësh.
Në sektorin e IT-së nuk është vendimtare gjermanishtja
Krahas aftësive profesionale kërkohen edhe njohuri të gjermanishtes. Por niveli i njohurive varet nga profesioni. Për sektorin e IT-së është vendimtar niveli i anglishtes, por në fushën e infermierisë dhe të hotelerisë niveli i gjermanishtes, sepse aty ke të bësh direkt me klientë.
ZAV punon intensivisht me partnerë në vende të ndryshme dhe për momentin po punon me vendet e Ballkanit Perëndimor. Për këtë së fundi ishin në Bonn punonjës së zyrave të punës nga vende të ndryshme të Ballkanit për të mësuar për procedurën e ndërmjetësimit të vendeve të punës.
David Perčubić, zëvendësdrejtor i Agjencisë së Punësimit në Malin e Zi thotë se për të papunët në vendit e tij ofrohen kurse përgatitore për gjuhën dhe tregun e punës në Gjermani. Ato si rregull zgjasin dy deri në tre vjet dhe kandidatët duhet të kenë nivel gjermanishteje A1 ose A2.
A nxit Gjermania rrjedhjen e trurit?
Carsten Klein reagon me mohim ndaj pyetjes nëse Gjermania nxit në këtë mënyrë rrjedhjen e trurit nga këto vende. “Ne dhe vendet e tjera të Evropës nuk parapëlqejmë vetëm rrugën njëdrejtimshe, por u ofrojmë atyre që duan të punojnë në Gjermani mundësi të mëtejshme kualifikimi në mënyrë që ata të kthehen me këto njohuri në tregun e punës të vendeve nga vijnë.”
Perčubić thotë se sipas perspektivës malazeze projektet për punësim në Gjermani ndikojnë për luftimin e papunësisë në Malin e Zi dhe se vendi i tij synon të legalizojë emigrimin për arsye pune.
Me sa duket ndërmjetësimi i specialistëve nga bota e jashtme duket se është në interes të të dyja palëve. Dhe numri i kërkesave pranë ZAV-it po shtohet. Këshilluesit e ZAV-it sqaqojnë jo vetëm për procedurën e aplikimit dhe mundësitë e vendeve të punës, por edhe për rrogat, qiratë e banesave, sigurimet shëndetsore etj. Sepse premtimi i sloganit “Make it in Germany!” mund të jetë i sukseshëm vetëm në rast se informacionet jepen që në fillim realiste dhe jo vetëm për shancet por edhe për vështirësitë.






















