Përveç Havollit në këtë raportim ishte ftuar të merrte pjesë edhe ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, mirëpo ajo e ka anuluar pjesëmarrjen më arsyetimin se e ka një agjendë të ngjeshur për shkak të “Javës së antikorrupsionit në Kosovë”.
Duke u përgjigjur pyetjeve të deputetëve të Komisionit për Legjislacion dhe për Mbikëqyrje e Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hallovi tha se gjatë një viti janë hetuar 200 raste për korrupsion.
“Gjatë hetimit të këtyre rasteve ka pasur edhe elemente të veprave penale, ku dhe janë ushtruar kallëzime penale të cilat janë dërguar në prokuroritë kompetente. E po ashtu ka edhe raste që janë identifikuar si shkelje administrative, të cilat janë iniciuar për fillimin e kërkesës për procedurë disiplinore”, tha ai.
Sipas Havollit, ka edhe raste që Agjencia në mungesë të kompetencave policore i ka dorëzuar disa raste për trajtim të mëtejmë në Polici dhe në Prokurori.
“Në fushën e deklarimit të pasurisë janë në proces të kontrollit 20 për qind e zyrtarëve, të cilët janë përzgjedhur për kontroll të rregullt”, tha ai.
Havolli ka folur edhe për fushën e prokurorimit publik, fushë kjo e cila, sipas tij, vazhdon të jetë problematike.
Ai ka bërë të ditur që pas monitorimit të kësaj fushe Agjencia Kundër Korrupsionit ka bërë kallëzime penale.






















