Nga Grid Rroji
Në kulmin e veprimtarisë gjeo-strategjike në Ballkan tri janë ngjarjet që duhet të zinin një vend kyç në diskutimin publik të një shteti normal:
1) Vizita pompoze e Presidentit Putin në Greqi, gjatë së cilës Kryeministri Cipras i cilësoi marrëdhëniet mes dy vendeve si “partneritet strategjik”. Do të duhej të interpretonim si shqiptarë se çfarë do të thotë kjo për një vend të NATOs, aleancë e cila është në luftë të ftohtë me Rusinë;
2) Vizita e parapakditëve e Presidentit Shi Xhinping në Beograd e cila rezultoi në rifreskimin dhe rigjallërimin e marrëdhënieve historike mes dy vendeve. Do të duhej të interpretonim zellin e madh të Kinës për të rihyrë fort në Ballkan edhe në dritën e vizitave të shpeshta të zyrtarëve të lartë shqiptarë në Kinë, duke filluar me Sali Berishën dhe më shpesh akoma me Edi Ramën, që rezultoi në futjen me forcë monopolistike të interesave kineze në një nga shtyllat e pakta fitimprurëse të ekonomisë shqiptare, transportin ajror;
3) Sinodi pan ortodoks i Kretës ku Rusia tregoi haptazi me mospjesëmarrjen e vet se nuk dëshiron ekumenizmin pan ortodoks sidomos kur mund të rrezikojë të perëndimorizojë potencialisht një nga shtyllat kryesore të shtetit rus, Kishën Ortodokse Ruse.
Në çdo vend me shtet normal këto duhet të ishin objekt i një debati të thelluar profesional për të përcaktuar nëse aksi Pekin-Beograd-Moskë-Athinë apo kombinime të mundshme mesore të tij mund të rrezikojnë thelbësisht interesat shqiptare, cilat jane zgjedhjet e përfaqesuesve të shtetit tonë dhe a i shërbejnë ato klanit, taborrit apo kombit, dhe çfarë duhet të bëjnë shqiptarët për të çuar përpara interesat e tyre në dhjetëvjeçarët e ardhshëm. Siç e shprehu sot edhe Prof.Shenasi Rama ka ardhur koha për një debat serioz mbi këto çështje. Mirëpo tek ne nuk ka shtetarë, por prijatarë katundarë, jeniçerë e bashibozukë.
Megjithëse kemi plot njerëz me dije dhe eksperiencë askush nuk flet. Të gjithë veprojnë sipas parimit “po qe mirë bytha ime, në djall vafshin këta pisa”. Ndaj dhe thirrjet për debat e për diskutim të zgjidhjeve bien në vesh të shurdhër dhe e bëjnë zgjidhjen të duket e pamundur. Zgjidhja e problemeve të shqiptarëve është detyrimisht politike, ndaj njerëzit duhet të ndërgjegjësohen se pa veprim politik nuk ka zgjidhje. Situata në rajon dhe interesat e fuqive të mëdha janë kyçe në zgjidhjen e çështjes shqiptare e cila mbetet e pazgjidhur.
Nëse do gjindemi të papërgatitur dhe të drejtuar nga një pari kriminale që e urren popullin e vet, do të jemi përsëri humbës në këtë përballje interesash. Duhet lëvizur sa nuk është tepër vonë. Duhet një forcë e re politike.















