Ministri në detyrë i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi, thotë se ministria të cilën drejton ai e ka përcjellë me vëmendje fillimin e ndërtimit të sheshit të ashtuquajtur “Car Llazar” në anën veriore të urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
Sipas tij, ndërtimet që kanë filluar atje, janë legale dhe në përputhshmëri me marrëveshjen e Brukselit.
“Ne kemi qenë atje gjatë fillimit të ndërtimit, kemi qenë të gatshëm për të ndërhyrë menjëherë në rast se do të kishim konstatuar se nuk po zbatohet marrëveshja. Deri tani, ka shkuar gjithçka në rregull”, ka thënë Gashi,për Indeksonline.
Gashi ka ritheksuar edhe njëherë qëndrimin e Ministrisë të cilën ai e drejton, se nuk do të bëjë kompromise kur bëhet fjalë për ndërtime ilegale, qofshin ato në jug apo në veri të vendit.
“Ne qëndrojmë prapa asaj që e kemi thënë, se në rast se ne konsiderojmë që ka tendencë për ndërtime ilegale, dhe shkelje të marrëveshjes, do të ndërhyjmë menjëherë”, ka thënë Gashi. /Indeksonline/
















