Deputeti Mark Frroku mbajti të parin fjalim në Kuvend dhe të vetmin, në seancën për heqjen e imunitetit të tij.
Ai tha se nuk është normale që t’i ndërpritet jeta familjare dhe politike.
Mos i hapni rrugë këtij precedenti, tha Frroku.
“Në këtë histori jam i huaj dhe nuk është normale që të më ndërpritet jeta ime familjare dhe politike.
Nuk keni parë një politikan deputet të burgoset për një dëshmi të rremë, e cila nuk ekziston ndaj meje. Para prokurorit kam dhënë dëshmi të saktë.
Prokurori do kontroll personal të banesës time a thua se dëshmia ime e rremë është bërë me kallash apo armatim të rëndë dhe kjo është denigruese.
Nëse do i hapni rrugën këtij precedenti, shumë prej jush do përfundoni nesër si unë.
Për 25 vite në këtë Kuvend janë bërë shumë dëshmi të rreme, madje të provuara se për mua nuk është e provuar.
Mendoj se kërkesa e organit të akuzës është e nxituar, denigruese,” deklaroi deputeti kristiandemokrat.
Duke folur jashtë Kuvendit, Frroku tha: “Unë do e quaja degradim i shtetit ligjor dhe institucioneve shtetërore”.















