Një 27-vjeçar me iniciale P.A. është arrestuar në Perugia të Italisë, pasi në makinën me të cilën udhëtonte janë gjetur 6 kg kokainë e cilësisë së lartë.
Ngjarja ka ndodhur të dielën e shkuar, por është bërë publike nga mediat vetëm gjatë ditës së sotme.
Droga, nëse do të hidhej në treg, vlerësohet se do kapte vlerën e më shumë se një milion e dyzet mijë euro.
I riu shqiptar e kishte fshehur drogën në kroskotin e makinës tip “Fiat 500” me të cilën ishte duke udhëtuar. 6 kg kokainë ishin ndarë në gjashtë pako.
Shqiptari u ndalua nga policia gjatë shërbimit rutinë që efektivët po kryenin pasdite. 27-vjeçari është shfaqur nervoz dhe kështu automjeti i tij është kontrolluar duke çuar në zbulimin e sasisë së kokainës. 27-vjeçari u arrestua dhe u shoqërua në burgun e Capanne-s në Perugia. /Syri.net/




















