Një grua është vënë në pranga nga policia pasi ka masakruar bashkëshortin duke e qëlluar me thikë. Rudina Basha, 36 vjeçe banuese në Bulqizë është vënë në pranga nga policia pasi ka qëlluar 6 herë me thikë bashkëshortin e saj, Besnik Basha, 45 vjeç.
Arrestimi i gruas është bërë sepse sot rreth orës 03:00 të mëngjesit dyshohet se ka goditur 6 herë me thikë, për motive të dobëta, në banesën e marrë me qira nga ana e saj në qytetin e Ri-Bulqizë, bashkëshortin e saj Besnik Basha, 45 vjeç, lindur e banues në Dragu-Bulqizë, gjatë kohës që ai ka qenë në gjumë.
Pas marrjes së njoftimit kanë shkuar menjëherë shërbimet e Policisë së Komisariatit të Policisë Bulqizë ku kanë bërë shoqërimin në ambientet e policisë. I dëmtuari Besnik Basha është dërguar për ndihmë mjekësore në spitalin rajonal të qytetit Peshkopi ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor në përfundim të veprimeve të para hetimore ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale një thikë , si arma e dyshuar e krimit.
Dosja i ka kaluar Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës Parë për Krime të Rënda Tiranë, për veprën penale të “Vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare”, mbetur në tentativë.
Gjithashtu është bërë arrestimi në flagrancë edhe i të plagosur Besnik Basha, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij në fshatin Dragu-Bulqizë, është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri Pushkë, model 63, së bashku me një krehër me 10 copë fishekë, të cilat i mbante pa leje.
Arma e zjarrit dhe fishekët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.















