Për Edi Ramën është fotoja e ditës ose siç i pëlqen kryeministrit ta thotë në anglisht “Photo of the day”. Por për shqiptarët dhe ndjekësit e kryeministrit në Facebook, është fotoja që tregon se po i vihet flaka edhe Shqipërisë.
Gjatë homazheve në varrezat e Dëshmorëve me rastin e 29 Nëntorit, Festës së Çlirimit janë ndezur dhe disa flakadanë që përjetësojnë vazhdimësinë.
Por fotoja e publikuar nga kryeministri Rama në profilin e tij në Facebook ka shkaktuar disa reagime në rrjetin social Facebook. Për disa komentues ajo është e papërshtatshme pasi sipas tyre duket sikur monumenti “Nënë Shqipëri” po merr flakë.
Një prej komenteve është: “Ide gjeniale, sepse flakën po na e vë dhe ti neve”.
Gjithsesi zgjedhjet për foton e ditës i përkasin ekskluzivisht kryeministrit Edi Rama dhe në shumicën e rasteve ato lidhen me ngjarje të aktualitetit apo ngjarje te tjera “Bizarre”.


















