Për letërsinë dhe botuesit, libri filozofik është i një rëndësie të veçantë, por a ka treg sot kjo gjini? A ka lexues që e zgjedhin mes një rafti me bestseller-a një klasik që ngre pyetje dhe përgjigjet të japë shpjegime mbi misteret e jetës? Kush veç studentëve a pedagogëve i qaset atij vetëm për kënaqësinë e të lexuarit?
Nga Suadela Balliu
Secili prej nesh, e ka shfletuar, në mos lëçitur një libër filozofie. Edhe kur arsyet kanë qenë larg asaj kënaqësisë së pastër të të lexuarit dhe lidheshin qartazi me detyrimet e një lënde në kurrikulat akademike.
Shkenca humane apo ekzakte, të gjithë e kanë të përfshirë të paktën një filozof dhe veprën e tij në dijet që përçojnë. Nga Pitagora, te Platoni e Aristoteli, nga Spinoza, te Shopenhauer, Niçe e Sartre, edhe pse jo thellë, të gjithë jemi njohur me veprat e tyre të mëdha dhe mendimin kritik.
Por, a konkurron gjinia e “dashurisë për dije” në tregun e botimeve apo mbetet ende shumë ezoterik për përdorim të rretheve të vogla, qofshin këta studiues, studentë, pedagogë apo admirues të mendimit kritik mbi natyrën, Zotin, hiçin, materien, dijen, vlerat, kohën e hapësirën, realitetin dhe iluzionin? Ndoshta këto rrokje mendimesh që të kërkojnë mprehjen e të gjitha neuroneve për të kuptuar temat sa të thjeshta në dukje po aq të koklavitura në logjikë e përmbajtje janë bërë për të mos u arritur nga të gjithë, duke e bërë perceptimin ta ngushtojë gjithnjë e më shumë rrethin e tij.
Botuesit shqiptarë nuk e harrojnë ta përfshijnë këtë gjini në titujt e tyre, megjithëse interesi gjithnjë e në rënie i blerësit-lexues ka bërë që ata t’i tkurrin botimet.
Botimet në fushën e filozofisë janë të pakta, sidomos në 5 vitet e fundit. Në faqen online të Bibliotekës nën fjalëçelësin “filozofi” nga viti 2010 e deri më 2014-ën, rezultojnë vetëm 109 tituj të botuar, në një diagram me ulje-ngritje nga viti 2010 ku janë regjistruar 16 tituj, më 2011-n prurjet janë rritur me 26, më 2012-ën shënonin 34 tituj, ndërsa dy vitet e fundit kanë ardhur në rënie me 2013-ën që shënonte një shifër prej 18 titujsh, në vitin e kaluar me vetëm 15 të tillë.
“Interesi për librin filozofik nga shtëpitë botuese ka ardhur në rënie. Shkaqet mund të jenë të shumta, por mendoj se si kryesore mund të rendisja dy: kulturën e varfër filozofike në shtresën e gjerë të popullsisë, e kufizuar vetëm në njohjen e disa prej klasikëve të caktuar shumë prej të cilëve të përkthyer me kohë dhe tashmë gjenden në dorën e lexuesit; libri filozofik mendohet si një libër që kuptohet vetëm nga një shtrese shumë mirë e arsimuar, e cila pikërisht për shkak të arsimimit të mirë i lexon këta libra në gjuhën që janë shkruar”- përgjigjet Drejtorja e shtëpisë botuese “UET-Press”, e cila duke qenë një shtëpi botuese universitare, librin filozofik e ka përparësi duke e përfshirë atë në dy kolana: “ Monografi/esse/studime” si edhe “Curriculum”.
Së fundi, kjo shtëpi botuese ka sjellë në shqip “Një përvijim i filozofisë (elementet bazë)” të filozofit britanik Bertrand Russell, me përkthim të Daut Gumenit dhe me parathënie të avokatit Spartak Ngjela. Ky libër vjen në vazhdën e disa titujve të këtij zhanri botuar nga “UET Press” siç janë “Pasojat e modernizmit” të Anthony Giddens, i cili duke qenë sociolog, e sheh modernizmin si rrjedhojë e marrëdhënieve të reja që kanë fituar koha dhe hapësira në shoqëri dhe “Nocione të logjikës. Metoda në shkencat humane” me autor Philippe Thiry.
“Kolanën e botimeve filozofike ne e shohim si një antidot ndaj dogmatizmit dhe parokializmit, mënyrë për të hapur debate rreth pluralizmit, shkëmbyer pikëpamje nga studiues të fushave të ndryshme, inkurajuar kontribute nga një shtresë sa më e gjerë autorësh e lexuesish”- vijon Nathanaili, e cila e rrëzon pak atë mendimin e përgjithshëm që qarkullon se libri filozofik për shkak të natyrës së trajtesave mund të diskutohen vetëm në nivel akademikësh.
“Filozofia është synim dhe mjet. Librat filozofikë merren me çështje që lidhen me të vërtetën, shkakësinë e vullnetin e lirë, pluralizmin dhe monizmin, Zotin dhe besimin, hapësirën e kohën, materien e mendjen. Në vështrim të parë duket se subjekte të tilla mund të diskutohen vetëm nga akademikët, por Russell e filloi karrierën e tij profesionale si mësues matematike në shkollë fillore dhe, për një kohë, për të siguruar mbijetesën, jepte edhe shumë lëndë të tjera”- shpjegon Nathanaili, e cila e shpjegon interesin në rënie të shtëpive botuese për këtë lloj libri si pasqyrim i kërkesave të pakta të lexuesit për të.
“Mendoj që nuk ka interes për librin filozofik nga lexuesi dhe shkakun kryesor e gjej, fillimisht, te shkolla. Filozofia për herë të parë studiohet në shkollën e lartë, në disa fakultete të caktuara, në kurse që nuk zgjasin më shumë se një semestër dhe, më tej, çdo gjë mbyllet. Mosstudimi i filozofisë dhe, bashkë me të, edhe i arsyetimit filozofik, është një nga shkaqet që studentët e kanë të vështirë të mendojnë në mënyrë kritike, të debatojnë e të mendojnë “me kokën e tyre”. Tek ta vihet re një nënshtrim ndaj autoritetit, janë të pandjeshëm ndaj dogmave dhe demonstrojnë mungesa të dukshme tolerance ndaj diversitetit. Duke cituar Russell, një autor që ne e botuam pak ditë më parë: “Filozofia duhet të studiohet jo për hir të gjetjes të ndonjë përgjigjeje definitive për një çështje të caktuar, sa kohë që një përgjigje e tillë, si rregull, nuk mund të thuhet se është e vërteta e vetme, por për hir të vetë çështjes. Diskutimi rreth çështjes zgjeron konceptin tonë për të mundurën, pasuron imagjinatën tonë intelektuale, redukton dogmat spekuluese.” – përfundon ajo.
Në pamundësi për ta mbajtur si një kolanë të tërë- kjo për shkaqe të ndryshme që shkon nga ata financiarë deri te mungesa e audiencës- shtëpitë botuese priren t’i përfshijnë librat filozofikë në kolanat e kushtuar teksteve universitare.
Kështu për shembull, “Botimet Dudaj”, e sjellin librin filozofik jo domosdoshmërisht në një kolanë të veçantë, pro bashkë me gjininë e historisë, sociologjisë e psikologjisë, përfshijnë edhe librin filozofik. “ Ne kemi libra filozofikë, pro jo domosdoshmërisht kemi një kolanë për këtë. e kemi të përfshirë te tekstet universitare. Ky zhanër u targetohet studentëve, por jo vetëm atyre. Ka shtrirje më të gjerë”- sqaron botuesja, Arlinda Dudaj.
Edhe një tjetër shtëpi botuese si “Pegi” shpjegon se nuk botojnë libra filozofikë të mirëfilltë, por kanë në botimet e tyre libra psikologjikë vetëndihmues. Një të tillë që kanë botuar, “Filozofia e jetës” e një autori shqiptar” sqarojnë se është botim i vjetër. Të kohëve të fundit, duket se nuk ka.
Edhe Toena gjithashtu nuk ka të botuar shumë tituj të këtij zhanri.
Shtëpia botuese “Ideart” në faqen e saj online në seksionin “Lexime filozofike” ka rreth 40 tituj filozofie të mirëfilltë me emra të mëdhenj të filozofisë nga Aristotel, Platon, Kant, Moore, Niçe, Smith, Makiaveli, Hajdeger, Locke, Hobs e Spinoza …
Ky i fundit vjen i botuar së fundi nga shtëpia botuese “Pika Pa Sipërfaqe” e cila do të nxjerrë në treg këto ditë “Etika e B Spinozës”.
“ Në kemi libra filozofikë dhe u kushtojmë rëndësi të madhe botimit të tyre. Javës tjetër del në treg botimi i serisë së gjashtë “ Etika e B.Spinozës”- një nga tekstet më të rëndësishme të filozofisë botërore” – zbulojnë nga kjo shtëpi botuese, të cilët i kanë dedikuar një kolanë të tërë, duke pasur si moto edhe botimin e veprave themelore të filozofisë, letërsisë dhe kritikës.
Sipas tyre, libri filozofik kërkohet pak, kryesisht nga studentët, edhe pse jo nga të gjithë studentët.
Nga Shtëpia Botuese “Dituria” numërohen më tepër se 35 botime në fushat e filozofisë dhe sociologjisë.
“Gjatë ekzistencës së saj tanimë 24-vjeçare, prej 1991, Shtëpia Botuese ‘Dituria’, përveç qindra titujve nga letërsia artistike, titujve gjuhësorë, historikë etj., një rëndësi të veçantë u ka kushtuar edhe titujve filozofikë e sociologjikë. Sot numëron më tepër se 35 botime të këtyre fushave, me autorë filozofë e sociologë nga më të njohurit, qofshin ata që kanë hedhur bazat e filozofisë dhe të sociologjisë, qofshin autorë që i përkasin gjeneratës së re”, – shprehet redaktorja e kësaj shtëpie botuese, Jeta Hamzallari.
Ndër botimet e “Dituria” renditen babai i psikanalizës Sigmund Freud, Erick Fromm, anëtar i asaj që sot njihet si Shkolla e Frankfurtit e teorisë kritike, Raymond Aron, Jeanne Hersch, Bertrand Russell, Eric Heinze, Ralf Dahrendorf e Giovanni Sartori.
“Sigurisht, duhet thënë se këto botime nuk kanë lexues në masë. Për fat të keq, tituj të tillë paraqesin interes vetëm për një pjesë të vogël lexuesish, që shpeshherë janë individë përgjithësisht të rritur të pasionuar apo të kuriozuar për fushat filozofi-sociologji, pedagogë dhe, nëse u sugjerohet nëpër auditorë ndonjëri prej titujve apo autorëve, këtyre lexuesve u shtohen edhe studentët”,- vijon Hamzallari, e cila vë në dukje një fenomen, të lënies pas dore nga botuesit filozofë si Marx, Engels, Nietzsche, Comte, Freud, Fromm etj., të cilët kanë filluar të konsiderohen si filozofë që i përkasin një filozofie paksa të vjetruar, dhe po u kushtohet përherë e më tepër interes dhe vëmendje e veçantë atyre që mund të quhen filozofë bashkëkohorë, si: Bertrand Russell, Ludwig Wittgenstein, Jean-Paul Sartre, Claude Levi-Strauss, Albert Camus, Richard Rorty, Noam Chomsky, Slavoj Žižek, Giovanni Sartori, etj.
A do të mjaftojë tregu i vogël i të pasionuarve dhe domosdoshmëria e universiteteve për t’i pasur si tekste universitarë librat filozofikë që ai të mbijetojë? Çfarë panorame e pret librin filozofik këtë vit? Do të ketë tkurrje apo një hov të botimeve të tij? A duhet lënë tregu të vetërregullohet siç pretendojnë mendimtarët liberalë apo duhet diktuar nga shtëpitë botuese që ofrojnë pavarësisht kërkesës? Edhe kjo mbetet çështje filozofie… e lexuesit.
Filozofia në 10 libra
Këta mendimtarë kanë ndikuar në rrjedhën e historisë me veprën e tyre dhe trashëgimia e shumë prej studimeve të tyre janë të rëndësishëm sot më shumë se kurrë. Më poshtë kemi një listë me 10 libra që çdo njeri duhet t’i lexojë për të fituar një kuptim të mirë të filozofisë perëndimore
- Republika – Platoni
Republika nuk ka të krahasuar në mbulimin e të gjitha fushave të jetës. Ndërsa Platoni adreson çështje metafizike, ai e bën këtë me gjuhën dhe analogji që çdo njeri mund ta rrokë me lexim studimor. Por Platoni flet më shumë sesa për metafizikë. Martesa, muzika, luftëra, mbretër, riprodhim dhe shumë të tjera janë çështjet e diskutimit të dialogëve të Platonit.
- Etika Nikomake- Aristoteli
Në këtë vepër, pyetja guidë e Aristotelit është: cila është gjëja më e mirë për një qenie njerëzore? Përgjigja e tij është lumturia, por ai e ka fjalën jo për diçka që ndjejmë, por diçka një lloj të mirë jete. Lumturia është e përbërë nga aktivitetet ku ne përdorim kapacitete më të mira njerëzore, njëherazi ato që kontribuojnë në lulëzimin tonë si anëtarë të një komunitet dhe ato që na lejojnë të angazhohemi në mendime prej zotash.
- Një Histori e Filozofisë Perëndimore – Bertrand Russell
Që prej botimit të parë më 1945-n, vepra e Lordit anglez është lavdëruar universalisht si një punë e jashtëzakonshme me një vëllim në subjektin, i pakrahasueshëm për gjithëpërfshirjen, qartësinë, erudicionit, hirshmërinë dhe mençurinë.
- Përtej së mirës dhe së keqes – Friedrich Nietzsche
Ku libër konfirmoi pozicionin e Nietzsche-s si vigani i filozofisë europiane për epokën. Vepra në mënyrë dramatike refuzon traditën e mendimit perëndimor me nocionet e së vërtetët dhe Zotit, së mirës dhe së keqes. Nietzsche demonstron se bota e Krishterë është e zhytur në një mëshirë të rreme dhe të infektuar me “ moralitetin e skllavit”.
- Meditime mbi Filozofinë e parë – René Descartes
Ky libër përbëhet nga gjashtë meditime, në të cilat autori hedh së pari të gjitha besimet në gjëra që nuk janë absolutisht të sigurta dhe përpiqet të vendosë se çfarë mund të dihet me siguri. Meditimet janë shkruar sikur të ishim duke medituar për 6 ditë: çdo meditim i referohet të kaluarit si “dje”.
- Bota si Vullnet dhe Përfaqësim – Arthur Schopenhauer
Nëse je aq i mençur sa të largosh të gjitha detajet e mërzitshme shkencore që kanë skaduar me kohë ( ashtu siç bëjnë të gjitha) si edhe opinionet personale të filozofit, ky mund të jetë një nga veprat më të mëdha të shkruara ndonjëherë. Duket si fundi i filozofisë: përgjigje të mirë për pyetjet me të cilat përleshemi çdo ditë.
7 . Meditime – Marcus Aurelius
I shkruar nga një perandor intelektual i Romës, Meditime ofrojnë një rang të gjerë reflektimet shpirtërore të zhvilluara ndërsa lideri luftonte të kuptonte veten dhe universin. Ai mbulon çështje të ndryshme si çështja e virtytit, logjika humane, natyra e zotave dhe të emocioneve të tij, duke kaluar nga dyshimi dhe dëshpërimi te bindja dhe ekzaltimit. Një vepër e mirë për të mësuar më shumë rreth filozofisë stoike.
- Tao Te Ching – Lao Tsu
“Tao Te Ching apo “Libri i Rrugës” është një manual klasik mbi artin e të jetuarit dhe një nga mrekullitë e botës. Në 81 kapituj të shkurtër ky libër shkon te parashikimet bazike të të qenit gjallë dhe jep këshilla që mbajnë balanca dhe perspektiva, një shpirt të që dhe bujar. Ku libër është rreth urtësisë në veprim.
- Letra nga një Stoik –Seneca
Seneca, ashtu si Marcus, ishte një burrë pushteti në Romë. Ai ishte edhe një shkrimtar i madh, një mik i besuar që u ka dhënë këshilla miqve. Shumë prej tyre kanë mbijetuar në formën e letrave, të cilat na udhëheqin përmes problemeve me zinë, varfërinë, pasurinë, suksesin, dëshpërimin, edukimin e shumë të tjera.
10 . Ese- Montaigne
Montaigne është influencuar thellë nga disa prej filozofëve të lartpërmendur. Ai e kaloi pjesë ne dytë të jetës së tij duke pyetur veten dhe të tjerët me të gjitha llojet e pyetjeve interesante dhe më pas eksploroi përgjigjet në formën e eseve të shkurtra provokuese. Këto ese janë gjithnjë të mira për mendime rreth vdekjes, ‘tjetrit, kafshëve, seksit e gjithçka tjetër.
















