Në një opinion për gazetën “Panorama”, opinionisti , Fatos Lubonja komenton atë çfarë ka ndodhur gjatë javës së shkuar, për incidentin me deputetin e Partisë Socialiste, Ben Blushi në qytetin e Elbasanit si dhe dhunën e ushtruar nga policia bashkiake e Tiranës ndaj protestuesve të shoqërisë civile në Parkun Kombëtar të Liqenit.
“Nuk i shoh pa lidhje me njëra-tjterën, përkundrazi si pasqyrë të njëra-tjetrës. Në fakt, historia e Shqipërisë është dramatikisht e mbushur me gabimet e mendjeve të ekzaltuara dhe të papjekura politikisht, që, duke menduar se historia fillon me ta, nuk kanë lënë krim e dhunë pa bërë ndaj tyre që i pengonin në rrugën e tyre. E tregon këtë jo vetëm përvoja e komunizmit, por edhe përvoja e këtyre 25 viteve. Gjithësesi më duket se me Edi Ramën dhe pretendimin e tij për Rilindje po përjetojmë një kulm të ri të këtij fenomeni”, shkruan Lubonja, duke shtuar edhe tre elementë të tjerë që sipas tij kryeministri Rama po shpalos siç janë mospërfillja e historisë dhe traditës referuar këtu ndryshimit të arkitekturës dhe urbanistikës së qëndrës së Tiranës, dhunën verbale e mediatike që sipas opinionistit synon të frikësojë njerëzit duke nxjerrë figurën e një kryeministri që ngjall frikë dhe urrejtje dhe së treti shkatërrimin shtetndërtues, duke u mos u konsultuar për asgjë me njerëzit. Lubonja jep një këshillë për socialistët brenda PS-së, që duhet të ngrenë barrikadë sa s`është vonë ndaj kultit të dhunës që po promovojnë këta rilindas.















