Familja Aliu distancohet nga protestat e paralajmëruara lidhur me vdekjen e djalit të tyre 4 vjeçar, Almirit.
Kumanovë, 4 korrik 2016 – Vdekja e Almir Aliut, fëmijës 4 vjeçar nga Kumanova, ka shkaktuar reagime të mëdha publike. Almiri vdiq si pasojë e goditjes me veturë nga i dyshuari Bojan Iliq, pas një zënke banale mes babait të Sedatit e të dyshuarit.
Në rrjetet sociale vërehen komente të shumta që kërkojnë drejtësi për Almirin e vogël, përfshirë edhe komente nacionaliste dhe thirrje për protesta publike.
Nijazi Aliu, kryefamiljar i familjes Aliu, ka falënderuar shqiptarët për mbështetjen që i kanë dhënë familjes këto ditë të vështira dhe ka bërë thirrje që rasti i Almirit të mos përdoret për qëllime nacionaliste.
“Mesazhi ynë është të ruhet qetësia, butësia, paqja dhe aq. Ne nuk drejtohemi mbi baza nacionale, nuk duam të hakmerremi për diçka. E vetmja gjë që duam është që drejtësia të dalë në shesh dhe krimineli që ka kryer këtë vepër të dënohet”, ka deklaruar Aliu për Anadoly Agency.
Për ditën e sotme në Kumanovë është paralajmëruar një marsh protestues, në kërkim të drejtësisë për Almirin. Sipas organizatorëve, gjatë kohës së marshit do të bllokohen rrugët para gjykatës, komunës dhe stacionit policor.
Njazi Aliu ka thënë se familja e tij është kundër protestave të tilla.
“Me lejen tonë, unë nuk do të kisha thënë të organizohen protesta. Familja jonë nuk ka asnjë përgjegjësi për ato protesta. Kërkojmë nga organet kompetente drejtësi maksimale për Almirin tonë”, është shprehur Aliu.
Fëmija 4 vjeçar Almir Aliu ndërroi jetë të premten, në Klinikën e Shkupit, si pasojë e plagëve të marra nga goditja me veturë nga i dyshuari Iliq.
Gjykata Themelore e Kumanovës ia ka caktuar 30 ditë paraburgim të dyshuarit./Illyriapress















