Gazeta greke ‘Kathimerini’ vazhdon të publikojë të dhëna të tjera sa i përket bandës kriminale të drogës që drejtohet nga shqiptari “Baron i Ballkanit”.
Sipas hetimeve edhe në Belgjikë, në dokumentet zyrtare të autoriteteve të huaja përmendet si kreu i organizatës Klemend B., i cili përdor pseudonimin “Kelly”. Një rol të rëndësishëm ka edhe një tjetër shqiptar që jeton në Belgjikë.
Ai është 50-vjeçari Dhimitër P., i cili ka banesë në Tiranë dhe Athinë si dhe ka depozita bankare 366 mijë Euro në bankat greke, 460 mijë Euro në Shqipëri dhe 100 mijë Euro në Belgjikë. Ai njihet me pseudonimin “Walter”.
Gazeta greke ‘Kathimerini’ vazhdon t’i qëndrojë faktit se 44-vjeçari nga Saranda është kreu i organizatës kriminale dhe ndaj të cilit është lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar. “Kathimerini” citon edhe deklaratën e djeshme të Klemend Balilit, që hodhi poshtë akuzat e PD dhe tha se nuk ka lidhje në këtë histori.
Banda ndërkombëtare e drogës e ka të shtrirë aktivitetin në Belgjikë, Holandë, Bullgari, Itali, Spanjë dhe vendet Nordike. Kurse Shqipëria shërben si vendet origjine i drogës dhe Greqi si vend tranzit, ku ngarkohet malli dhe prej këtej transportohet nëpër vendet e BE përmes kamionëve./SYRI.net/
















