“Në mesin e këtyre afateve është edhe periudha se kur subjektet politike aplikojnë për certifikim për pjesëmarrje në Zgjedhjet Lokale. Kjo periudhë ka nisur më 21 qershor dhe do të përfundojë më 22 gusht”, ka thënë Elezi.
Por, kur kanë mbetur edhe një muaj afat asnjë subjekt politik nuk ka aplikuar për certifikim. Këtë e konfirmojnë edhe zyrtarët e KQZ-së. “Mund t’iu konfirmoj se deri më tani (22 korrik) asnjë subjekt politik nuk ka aplikuar për certifikim për pjesëmarrje në këto zgjedhje. Sigurisht se presim që kjo të ndodhë ditëve apo javëve në vazhdim”, thotë ai.
Duke folur për përgatitjet e përgjithshme që KQZ-ja po i realizon për organizimin e Zgjedhjeve Lokale, ai shprehet se përgatitjet janë duke u bërë sipas dinamikës së paraparë me Planin Operacional dhe se së fundmi është mbajtur edhe trajnimi për Anëtarët e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve lidhur me rolin, detyrat dhe përgjegjësitë e tyre gjatë fazave të ndryshme të procesit zgjedhor.
Zgjedhjet e fundit lokale që janë mbajtur në Kosovë janë ato të vitit 2013. Nga 38 komuna, në zgjedhjet për kryetar, 25 prej tyre patën shkuar në raund të dytë (balotazh). Krahas tyre do të mbahen edhe zgjedhjet për Kuvende Komunale.
Sipas të dhënave statistikore të KQZ-së për proceset e kaluara zgjedhore, në Zgjedhje Lokale me mijëra persona i nënshtrohen garës për të parin e komunës apo për ulëse në Kuvende Komunale. Vetëm gjatë vitit 2013 në zgjedhjet për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar ka qenë rreth 8 mijë persona.






















